zoom

Kosova

Kosova voton sot, gjithçka duhet të dini për këto zgjedhje

Kosova voton sot, gjithçka duhet të dini për këto zgjedhje

Kosova voton sot për të zgjedhur qeverinë e re.

Këto janë zgjedhjet e treta në 16 muaj.

Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 Lëvizja Vetëvendosje nuk arriti të formonte dot qeverinë dhe të zgjidhte kryetarin e kuvendit çka çoi në zgjedhjet e jashtëzakonshme të dhe 28 dhjetorit. Por pas këtyre zgjedhjeve mazhoranca e Albin Kurtit, që fitoi mbi 51 % të votave, nuk arriti të zgjidhte presidentin e vendit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë materialin zgjedhor në Qendrat komunale të numërimit në të gjithë territorin.

Këto pako që përfshijnë fletëvotimet, listat përfundimtare të votuesve dhe vulat deri mëngjesin e së dielës do të ruhen nga ekipet policore.

Sipas vendimit të KQZ-së, për këto zgjedhje janë shtypur gjithsej 1 milion e 778 mijë e 300 fletëvotime. Prej tyre, 1 milion e 605 mijë janë të destinuara për votimin në vendvotimet e rregullta, 19 mijë e 450 për votimin me kusht, 13 mijë e 500 fletëvotime rezervë, si dhe 3 mijë e 500 për votimin e personave me nevoja të veçanta.

Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në këtë proces zgjedhor është: 2,092,174 votues. Kjo listë përmban 15,884 votues më shumë se në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të cilat u mbajtën më 28 dhjetor të vitit të shkuar.

E për të garantuar integritetin e zgjedhjeve të 7 qershorit, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se ka angazhuar mbi 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të mbikëqyrin procesin në të gjithë vendin deri në përfundim të procesit zgjedhor.

Prokurori i Shtetit me këtë rast ka bërë thirrje qytetarëve, subjekteve politike dhe organizatave që të raportojnë çdo dyshim për keqpërdorim ose manipulim të votës.

Pos Prokurorisë, përgatitjet për nesër i ka bërë edhe Policia e Kosovës e cila ka hartuar urdhrin operativ dhe ka bërë të gjitha planifikimet lidhur me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës.

Përmes urdhrit operativ, Policia ka treguar se parashihen të angazhohen një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë kryesisht të rendit publik, por sipas nevojës mund të angazhohen edhe zyrtarë policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë, përfshirë pajisjet e nevojshme logjistike, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.

Policia ka theksuar se synon krijimin e një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët si dhe mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, ngritjen e vigjilencës, sigurimin e qendrave të votimit, depove komunale dhe Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve.

Postime të lidhura