zoom

Politikë

Vizita e Tajanit jep efekt, Kushtetuesja rrëzon padinë e Bashës për marrëveshjen e emigrantëve

Gjykata Kushtetuese merr një tjetër vendim për çështjet e nxehta të javëve të fundit në vend, që kanë përfshirë politikën.

Bëhet me dije se trupa gjykuese nuk ka legjitimuar kërkesën e Partisë Demokratike zyrtare, grupi i Lulzim Bashës, pas kërkesës që kjo e fundit ka bërë për rrëzimin e marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët.

Nuk dihen ende argumentet juridike dhe ligjore të përdorura, por pritet zbardhja në vijim e vendimit. Më 13 dhjetor, Gjykata Kushtetuese ktheu kërkesën e Lulzim Bashës për plotësim dokumentacioni, por pasi u dorëzua sërish në gjykatë, është vendosur që të mos legjitimohet dhe të mos merret në shqyrtim.

Një kërkesë të ngjashme ka bërë edhe grupi i PD-së së Berishës. Ky vendim vjen pikërisht ditën e vizitës së ministrit italian të Jashtëm, Tajani, në Shqipëri.

Pas dorëzimit të kërkesës më shumë se një javë më parë nga PD, përfaqësuesja e grupit, Lindita Metaliaj, deklaroi për mediet se kjo është një marrëveshje antiligjore.

“Nuk mundet të vendosë për fatin e vendit tonë në shkelje të të drejtave të njeriut. I jemi falënderues popullit italian, por kjo nuk ka të bëjë me ta. Ne do të presim vendimin e gjykatës Kushtetuese dhe nëse pajtohet apo jo kjo marrëveshje me Kushtetutën e Shqipërisë. “Dorëzuam padinë për këtë marrëveshje, pasi jemi në mbrojtje të interesit të qytetarëve”, tha Metaliaj. /ZOOM.AL/