zoom

Slider

Vinicius: Real Madridin e dua, por në zemër kam një klub tjetër

Vinicius Junior ndihet shumë i lumtur te Reali i Madridit. Sulmuesi brazilian është përmirësuar vit pas viti, duke u kthyer në një nga lojtarët më të mirë të skuadrës së Carlo Ancelottit dhe jo vetëm.

Së shpejti pritet të zyrtarizohet akordi i rinovimit dhe firma mbi kontratën e re, që do e mbajë 23-vjeçarin në “Santiago Bernabeu” deri në vitin 2027.

Ndërkohë që edhe paga e tij sezonale do të rritet ndjeshëm. Në lidhje me të ardhmen, Vinicius Junior i premtoi besnikëri Realit. Por karrierën do e mbyllë në shtëpi.

Një ditë do të rikthehet në Brazil për të mbajtur fjalën që i ka dhënë babait të tij kohë më parë.

“Unë e dua jetën që po bëj këtu. Dhe po shkon gjithçka mirë edhe për familjen time. Sigurisht që mund të qëndroj te Reali gjatë gjithë karrierës sime, por klubi i jetës është Flamengo. I kam premtuar babait se një ditë do të kthehem atje. Duhet ta mbaj fjalën e dhënë”, u shpreh Vinicius, një ndër më të mirët në botë në rolin e tij.

Sulmuesi i majtë shpërtheu te kuqezinjtë e Flamengos, një nga skuadrat më të dashura në Brazil. Përpara se të transferohej te “Los Blancos” në verën e vitit 2018 për 45 mln euro.