Aplikacion
Resorti i ndërtuar pa leje nga Ardian Halili, ish-drejtues i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Durrës, u shemb këtë të premte me shpërthim të kontrolluar.
Forcat xheniere realizuan prishjen e godinës kryesore 2-katëshe, ndërsa objektet e tjera ndihmëse u rrënuan me fadromë.
Sipas verifikimeve, kompleksi i quajtur “Saint Michelle Residence” ishte ndërtuar pa leje në një sipërfaqe prej 5,600 m², ku përfshiheshin dhoma hoteli, 11 garsionere, një pishinë, ambiente sportive dhe një restorant.
Ndërtimet nisën në vitin 2018 dhe vijuan deri në vitin 2021, kohë kur Halili mbante postin e kreut të IMT-së, por vazhduan edhe pas largimit të tij nga detyra.
Halili është bashkëshorti i ish-prokurores së Durrësit, Rabiana Halili, e cila dha dorëheqjen gjatë procesit të Vetting-ut.
Për këtë rast ka reaguar gazetari Sebastian Zonja, i cili me ironi thotë se autoriteteve iu deshën 8 vite për të kuptuar se resorti i ndërtuar nga Ardian Halili ishte pa leje.
“8 vjet më parë Ardian Halili ndërtoi në fshatin Shetaj të Ishmit një resort.
Punonte me djersën e ballit në shtet ai dhe gruaja ish-prokurore dhe ndërtuan një resort të mirë.
U deshën vite derisa në gusht të 2025-ës autoritetet të zbulonin paligjshmërinë. Qënkesh pa leje, thotë policia.
Blutë e Durrësit arrestuan ish-zyrtarin e lartë të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit dhe ja hodhën në erë me tritol këto shtëpitë e pushimit që janë ndërtuar pranë Kepit të Rodonit”, tha ai në rrjetet sociale./ Zoom.al