Aplikacion
Policia e Durrësit doli në një deklaratë për shtyp pas arrestimit të ish-kreut të IMT-së së qytetit bregdetar.
Drejtori i uniformave blu të Durrësit, Vilson Bala, tha se A.H. 55 vjeç u kap duke kryer punime ndërtimi pa leje në subjektin e tij “Siant Michelle Residence”.
“Sqarojmë se A.H e ka ndërtuar këtë objekt, 11 kabina garsoniere, 1 godinë dykatëshe, 1 fushë minifutbolli, në një sipërfaqe toke 5600 metra katrorë kur ka qenë në krye të IMT Durrës gjatë viteve 2018 – 2021”, tha Bala.
Nga verifikimet ka rezultuar se ndërtimi ka filluar nga fillimi i vitit 2018 dhe ka vijuar në vijim.
55-vjeçari A.H u emërua në krye të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik të Durrësit (sot IMT) më 7 maj të vitit 2018, detyrë që e mbajti deri në prill të vitit 2021.
“Shkelja e syrit, apo bërja palë me abuzuesit, apo më keq akoma, të ndërtosh vetë pa leje kur je në detyrë për të parandaluar këtë vepër penale, do marrë fund njëherë e mirë në qarkun Durrës”, tha drejtori i Policisë së Durrësit./Zoom.al