zoom

Kosova

Vendimi i Kushtetueses për Kuvendin/ LVV: Arbitrar! Cënon themelet e demokracisë

Vendimi i Kushtetueses për Kuvendin/ LVV: Arbitrar! Cënon themelet e demokracisë

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e konstituimit të Kuvendit, duke e cilësuar atë si tejkalim të juridiksionit dhe vendim arbitrar që dëmton demokracinë.

“Pas 10 ditësh vonesë, Gjykata pranoi sot se përmes aktgjykimit të publikuar ka shkruar një rregull të ri. Ky tejkalim i juridiksionit nuk mund të justifikohet me asgjë. Ditët e vonesës tregojnë pamundësinë e Gjykatës për të arsyetuar një vendim arbitrar që cenon themelet e demokracisë,” thuhet në reagimin e LVV-së.

Sipas Vetëvendosjes, kufijtë e ngushtë të arsyetimit të sotëm janë pasojë e tejkalimeve të mëparshme që ia ka lejuar vetes Gjykata. Në të njëjtën kohë, LVV vë në pah se vendimi konfirmon sërish se votimi i fshehtë nuk është në kundërshtim me Kushtetutën, duke rrëzuar pretendimet e opozitës. Megjithatë, partia në pushtet kritikon paragjykimin e Gjykatës për mungesën e konsensusit politik në një proces që ende nuk është hedhur në votim, duke e konsideruar këtë si ecje në rrugën e subjekteve bllokuese.

Vetëvendosje kundërshton edhe analogjinë që ka përdorur Gjykata mes zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhjes së Presidentit. “Kushtetuta, ndryshe nga procedurat për Kryetarin dhe Nënkryetarët e Kuvendit, për Presidentin përcakton qartë raundet e votimit dhe pasojat juridike të moszgjedhjes brenda afatit. Në arsyetimin e Gjykatës nuk shohim asgjë tjetër përveç frazave të përdorura më parë nga PDK,” thekson reagimi.

Sipas Vetëvendosjes, aktgjykimi po përgatit terrenin që, pas 30 ditësh, nëse dështon partia e parë të zgjedhë kryetarin e Kuvendit, të krijohet hapësirë për një parti tjetër të bëjë propozimin. “Këtë e kanë kërkuar dhe e kanë deklaruar eksponentët opozitarë, madje edhe në komentet e tyre drejtuar Gjykatës Kushtetuese,” shton partia.

Një kritikë tjetër e LVV-së është fakti se Gjykata nuk është mbështetur në ndonjë kushtetutë tjetër evropiane apo botërore, e as nuk ka kërkuar mendim nga gjykata homologe për krahasim rastesh. “Ky është një rast si asnjë rast tjetër, ku Gjykata ka vendosur e vetmuar, pa krahasim dhe pa precedentë,” përmbyll reagimi i Vetëvendosjes.

Postime të lidhura