Aplikacion
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar lidhur me situatën demografike në Shqipëri dhe rritjen e numrit të të punësuarve në administratën publike. Ajo thekson se vendi po përballet me një paradoks të fortë: ndërsa popullsia po tkurret për shkak të emigrimit, shteti po zgjerohet përmes shtimit të vendeve të punës në administratë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Tabaku publikoi një grafik të mbështetur në statistikat e INSTAT, ku tregohet se numri i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit është rritur ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit.
Sipas të dhënave të përmendura prej saj, në vitin 2001 rreth 800 mijë shqiptarë jetonin jashtë Shqipërisë, ndërsa sot kjo shifër ka arritur në rreth 1.46 milion persona. Kjo përfaqëson një rritje prej rreth 82% të emigrimit në këtë periudhë. Në të njëjtën kohë, popullsia që jeton brenda vendit është ulur me rreth 20%.
Deputetja demokrate thekson se paralelisht me këtë rënie të popullsisë, administrata publike ka shënuar nivelin më të lartë të punësimeve në 23 vitet e fundit. Aktualisht, sipas shifrave të publikuara, në administratë rezultojnë rreth 185,400 punonjës.
Postimi i plotë:
Shqipëria po përballet me një krizë të thellë demografike që po e varfëron vendin dhe po prek çdo familje shqiptare.
Në vitin 2001 rreth 800 mijë shqiptarë jetonin jashtë vendit. Sot kjo shifër ka arritur në rreth 1.46 milion, një rritje prej 82%, ndërsa popullsia në vend ka rënë me rreth 20%.
Por ndërsa vendi zbrazet nga shqiptarët, qeveria socialiste vazhdon të fryjë shtetin. Sot administrata publike ka arritur në rreth 185,400 punonjës, ndërsa raporti është rritur nga 62 në 79 punonjës për çdo 1,000 banorë.
Për krahasim, mesatarja e Bashkimit Europian është rreth 60–65 punonjës publikë për 1,000 banorë. Pra Shqipëria sot ka një raport më të lartë se mesatarja e BE-së, ndërkohë që ekonomia është shumë më e vogël dhe popullsia po zvogëlohet.
Pra ndërsa Shqipëria zbrazet, shteti rritet.
Në vend që të krijohen mundësi që shqiptarët të qëndrojnë dhe të ndërtojnë jetën këtu, po ndërtohet një shtet gjithnjë e më i madh mbi një shoqëri gjithnjë e më të vogël, për interesa elektoralë, ndërsa taksat e një Shqipërie gjithnjë e më të rrudhur mbajnë një administratë gjithnjë e më të fryrë./ Zoom.al
