Aplikacion
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtatë persona në lidhje me vdekjen e 3-vjeçarit Brian Spahiu, i cili humbi jetën pas një ndërhyrjeje dentare në një klinikë private në kryeqytet.
Mjekët stomatologë Ronald Xhaxho dhe Marta Gina akuzohen për “Vrasje nga pakujdesia” dhe “Mashtrim”, të kryera në bashkëpunim. Ndërsa vajza e mjekut Xhaxho, Ina Xhaxho akuzohet për “Vrasje nga pakujdesia”, “Mashtrim” në bashkëpunim dhe “Ushtrim të aktivitetit të paligjshëm”.
Në gjyq janë dërguar gjithashtu dy ekspertë të Institutit të Mjekësisë Ligjore për “Shpërdorim detyre”, si dhe dy mjekë të Pediatrisë për “Neglizhencë në trajtimin mjekësor”.
Sipas hetimeve, më 28 shtator 2023, i mituri iu nënshtrua një ndërhyrjeje dentare në 14 dhëmbë në klinikën “Splendent”. Pas ndërhyrjes, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua rëndë dhe ai ndërroi jetë më 1 tetor 2023 në QSUT.
Riekspertimi mjekoligjor nga një grup ekspertësh italianë konkludoi se shkaku i vdekjes ishte shoku septik i rëndë, i pasuar nga insufiçencë shumëorganore. Ekspertët evidentuan shkelje të rënda të protokolleve mjekësore gjatë ndërhyrjes dentare, anestezisë dhe në vendimin për nxjerrjen e fëmijës nga klinika.
Hetimi provoi gjithashtu se prindërit ishin mashtruar financiarisht, pasi ishin paguar për mbushjen e 14 dhëmbëve, ndërkohë që 6 prej tyre nuk ishin mbushur. Po ashtu, u konstatua se Ina Xhaxho kishte ushtruar aktivitetin si stomatologe pa licencë të vlefshme.
Prokuroria thekson se përgjegjësia kryesore për vdekjen e të miturit lidhet drejtpërdrejt me veprimet dhe mosveprimet e tre stomatologëve të përfshirë në ndërhyrje./ Zoom.al