Aplikacion
Ai ishte një miliarder në Spanjë, por rrallë e dëgjoje të fliste. Isak Andic preferonte të shprehej përmes pëlhurave, ngjyrave dhe vitrinave të dyqaneve, jo përmes fjalëve. Njeriu që i dha modës mesdhetare elegancën e skenës botërore, themeluesi i markës Mango, ndërroi jetë 10 muaj më parë në një nga shtigjet malore të Katalonjës. Fillimisht u raportua si një aksident tragjik: një burrë 71-vjeçar që humbi ekuilibrin në Montserrat, një zonë e njohur për shëtitje dhe alpinizëm. Por tani, hetimet kanë marrë një kthesë dramatike. Autoritetet po shqyrtojnë mundësinë që të mos ketë qenë aksident – dhe në qendër të këtij dyshimi është djali i tij, Jonathan Andic.
Isak Andic lindi në Stamboll më 1953, në një familje hebraike sefardike me rrënjë në Selanik. Në vitet ’60, familja emigroi në Katalonjë, në kërkim të një fillimi të ri. I ri dhe me pak njohuri të gjuhës, Isak fliste rrjedhshëm vetëm një gjuhë: atë të tregtisë. Filloi duke shitur këmisha në rrugët e Barcelonës. Aty kuptoi sesi vishen njerëzit kur punojnë, kur ecin, kur ndihen mirë me veten. Nga ky vëzhgim lindi Mango – në vitin 1984, së bashku me vëllanë e tij, Nachman. Ideja ishte e qartë: të krijonin një stil mesdhetar – linja të pastra, vetëbesim i heshtur dhe elegancë pa pompozitet. Marka u rrit me ritme të shpejta, duke u shndërruar nga një butik i vogël në Barcelonë në një gjigant global të modës, me mbi 2,500 dyqane në më shumë se 110 vende. Megjithatë, Andic qëndroi gjithmonë larg dritave të skenës. Nuk dha intervista, nuk shfaqej në evente mode, dhe nuk i lejoi kurrë fotografët në zyrën e tij. Ishte i pranishëm në dyqanet e tij, por jo në rrjetet sociale. Preferonte të ndalte për të prekur një pëlhurë apo për të pyetur nëse një raft dukej “i pastër”.
Në atë mëngjes dimri, Isaku dhe djali i tij Jonathan dolën për një shëtitje në Collbató, në rrëzë të malit Montserrat. Ishte një shteg që e njihnin mirë. Por vetëm njëri prej tyre do të kthehej. Disa orë më vonë, Andic u gjet i pajetë, pasi kishte rënë nga një lartësi prej 100 metrash. Djali i tij telefonoi autoritetet, dhe raportet fillestare e cilësuan ngjarjen si “aksident tragjik”. Partnerja e Andic, Estefania Knut, një lojtare e njohur golfi, u mor në pyetje. Asnjë provë nuk tregonte për krim. Por policia spanjolle nuk e mbylli dosjen.
Me kalimin e muajve, policia vijoi në heshtje me analizat. Disa elementë nuk përputheshin. Deklaratat e Jonathan Andic u vlerësuan si kontradiktore. Gjurmët e telefonit të Isakut nuk përkonin me versionin e dhënë. Asnjë provë vendimtare nuk u zbulua – por as dyshimet nuk u shuan. Në tetor 2025, prokuroria rihapi hetimin, këtë herë duke e klasifikuar si një vrasje të mundshme. Jonathan Andic, trashëgimtari kryesor dhe nënkryetar i Mango-s, është zyrtarisht nën hetim. Familja Andic ka deklaruar se beson fuqimisht në pafajësinë e tij dhe po bashkëpunon plotësisht me autoritetet. Ndërkohë, Gjykata e Shkallës së Parë në Martorell po ndjek çështjen me konfidencialitet maksimal. Asnjë informacion nuk është bërë publik deri tani.
Pas vdekjes së Isak Andic, Mango hyri në një fazë të re. Tony Ruith, drejtori ekzekutiv, mori detyrën e kryetarit të bordit – i pari person jashtë familjes që mban këtë post. Jonathan u bë zyrtarisht nënkryetar, ndërsa motrat Judith dhe Sarah morën role drejtuese në kompaninë mëmë, MNG. Asnjë prej tyre nuk doli në media. Nuk dhanë intervista. Nuk folën as në përkujtimore. Vetëm një deklaratë zyrtare për të shprehur besimin në drejtësi. Dhe ndoshta, kjo heshtje është forma më e sinqertë e nderimit për Isak Andic. Ai që besonte se pushteti nuk ka nevojë për zë, por për qëndrueshmëri.