Aplikacion
Mango është vënë në qendër të vëmendjes pas zhvillimeve të reja lidhur me vdekjen e themeluesit të saj, Isak Andic.
Autoritetet spanjolle kanë marrë në pyetje djalin e tij, Jonathan Andic, në kuadër të hetimeve që lidhen me ngjarjen tragjike të ndodhur në fund të vitit 2024.
Sipas mediave të huaja, Jonathan Andic është ndaluar për t’u intervistuar nga hetuesit të martën, ndërsa autoritetet po analizojnë rrethanat e vdekjes së miliarderit spanjoll me origjinë turke. Isak Andic humbi jetën gjatë një ecjeje në zonat malore katalanase, pasi dyshohet se ra nga një lartësi prej afro 100 metrash.
Megjithatë, hetuesit nuk e kanë përjashtuar mundësinë që ngjarja të mos ketë qenë aksidentale. Për këtë arsye, çështja vijon të hetohet edhe në pistën e një vrasjeje të mundshme, ndonëse familja Andic ka deklaruar vazhdimisht se bëhej fjalë për një aksident tragjik.
Në momentin kur ndodhi ngjarja, Isak Andic ndodhej vetëm me të birin. Kjo ka bërë që autoritetet të kërkojnë dëshminë e Jonathan Andic për të sqaruar detajet e fundit të ditës fatale.
I lindur në Turqi dhe i vendosur prej shumë vitesh në Spanjë, Isak Andic konsiderohej një nga biznesmenët më të fuqishëm në industrinë europiane të modës. Ai krijoi perandorinë Mango duke nisur fillimisht me tregtinë e veshjeve në vitet ’70, ndërsa kompania më vonë u kthye në një nga markat më të njohura ndërkombëtare të modës.
Sipas raportimeve financiare, Mango realizoi miliarda euro shitje gjatë vitit 2025, duke u renditur ndër kompanitë më të mëdha të modës në tregun spanjoll, pas grupit Inditex, pronarit të markës Zara.
Aktualisht, Jonathan Andic dhe dy motrat e tij zotërojnë pjesën dërrmuese të aksioneve të kompanisë.
Në reagimin zyrtar, familja Andic konfirmoi se Jonathan ka bashkëpunuar me autoritetet dhe është paraqitur për të dhënë dëshmi lidhur me rastin./ Zoom.al