zoom

Aktualitet

Vatikan brenda Tiranës/ “La Repubblica”: Rama kërkon të kombinojë fenë dhe demokracinë

Komuniteti bektashian, i cili u persekutua nga Ataturku në Turqi dhe nga Enver Hoxha në Shqipëri, ka një marrëdhënie të veçantë me kryeministrin Rama, i cili tani dëshiron t’i sigurojë një Seli të Shenjtë për të kombinuar fenë dhe demokracinë.

Kupola e tempullit të madh, Odeonit, qëndron mes malit të Dajtit dhe banesave të Tiranës së vjetër komuniste. Para një Kurani shekullor, Baba Mondi u ofron vizitorëve të tij çaj, kafe dhe raki, në atë që mund të bëhet shteti më i vogël në botë, një lloj “Vatikani mysliman”, shkruan “La Repubblica”.

Edi Rama, kryeministri socialist shqiptar tani kërkon t’i japë sovranitetin shtetëror urdhrit bektashi në këto hektarë tokë të kultivuar me livadhe, trëndafila e ullinj. Avokatët e Ramës po punojnë për të përcaktuar projektin.

“I lindur në shekullin e 13-të, bektashizmi ishte feja e elitës ushtarake osmane, e përhapur në të gjithë Azinë Perëndimore. Kur Ataturku themeloi Republikën laike të Turqisë, në fillim të shekullit të njëzetë, bektashinjtë ikën në Shqipëri, duke marrë pjesë në “Pranverën shqiptare”, në rezistencën kundër perandorisë: në manastiret e tyre, teqeja, qarkullonin librat në shkollat e fshehta të gjuhës shqipe, e cila në atë kohë ishte e ndaluar.

Me komunizmin erdhi nata: në kohën e diktaturës së Enver Hoxhës, bektashinjtë u ndaluan dhe u persekutuan, u sekuestruan pronat, u shkatërruan teqeja, por ata rezistuan në mënyrë klandestine.

Sot llogaritet se 5 deri në 10% e popullsisë shqiptare janë bektashi. Propozimi i Ramës ka marrë mbështetje, edhe pse disa e kanë cilësuar si një tjetër marifet publicitar të kryeministrit, e disa të tjerë kanë ngritur mburojat: ashtu si përfaqësuesit e komunitetit sunit, shumica në vend, gjithashtu njihet për moderim dhe bashkëjetesa laike me katolikët dhe ortodoksët. “Shteti ynë është Shqipëria dhe ne jemi të vetmit përfaqësues të fesë islame”, pohoi myftiu Bujar Spahiu.

Ferdinand Samarxhi, një ekspert fetar, i shikon gjërat nga një këndvështrim tjetër: “Ideja e Ramës është t’i japë një përgjigje strategjike ekstremizmit në rritje globale dhe intolerancës fetare duke promovuar një interpretim paqësor të Islamit”.

Empatia mes kryeministrit dhe Baba Mondit nisi në vitin 2015, kur kleriku i propozoi të merrnin pjesë së bashku në funeralin e viktimave të sulmit islamik në Charlie Hebdo, në Paris.

Që atëherë, Rama është përpjekur të ndryshojë Tiranën, duke e zbukuruar qendrën me kullat e projektuara nga arkitektë, sheshet e këmbësorëve, shtigjet e biçikletave dhe ambicien për ta bërë atë një Dubai të Ballkanit, një destinacion për turizmin ndërfetar, shkruan më tej gazeta e njohur italiane.

Disa javë më parë Erdogan erdhi në Tiranë për të inauguruar një xhami të re sunite.

Shqipëria e vogël mes orekseve të mëdha. Megjithatë Rama nuk dorëzohet: sufijtë bektashi nuk kanë shtete të fuqishme pas tyre dhe në shumë vende janë ende të persekutuar, një shtet do të ishte një garanci mbijetese për ta./ La Repubblica

Postime të lidhura