zoom

Bota

Varianti Omicron mund t’i rezistojë vaksinave, paralajmëron drejtori i Moderna

Vaksinat ekzistuese për COVID-19 ka të ngjarë të jenë shumë më pak efektive kundër variantit Omicron të virusit sesa variantet e mëparshme, ka paralajmëruar drejtori ekzekutiv i kompanisë së ilaçeve Moderna.

Duke folur për Financial Times, Stephane Bancel tha se numri i madh i mutacioneve në variant sugjeron që vaksinat në botë për COVID-19 mund të kenë nevojë të rregullohen për të ruajtur efektivitetin e tyre kundër virusit.

Udhëzimet e reja të lëshuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëruan se varianti i sapoidentifikuar dhe “shumë divergjent” përbën një rrezik “shumë të lartë” global.

Sidoqoftë, OBSH nënvizoi se kishte ende “pasiguri të konsiderueshme” mbi ndikimin që mund të kishte varianti.

Javën e kaluar, prodhuesi gjerman i vaksinave BioNTech tha se priste më shumë të dhëna për variantin e ri brenda dy javësh, të cilat mund të tregojnë nëse duhet apo jo të përditësojë vaksinën e saj për COVID.