zoom

In Zoom

Urbanët e Tiranës, makthi i qytetarëve. Asnjë ndryshim ndër vite

Çdokush që përdor urbanët e Tiranës përballët ditë për ditë me të njëjtat probleme, prej vitesh. Nuk vijnë asnjëherë në orar, nuk ofrojnë kushtet minimale, në verë plas nga vapa, në dimër të kërcasin dhëmbët nga i ftohti, janë të tejmbushur, higjena mungon.

Kurcshkruan për transportin urban në kryeqytet, përsëriten të njëjtat problematika.

Të dhënat e Bashkisë së Tiranës tregojnë se urbanët përdoren nga 300 mijë persona në ditë.

Që prej vitit 2013 shërbimi i transportit publik urban kryhet vetëm nga operatorë privat. Janë 15 operatorë të tillë nga viti 2016, të cilët realizojnë këtë shërbim në 16 linja të ndryshme të autobusëve. Këto linja kalojnë nga periferia në qendrën e qytetit si edhe disa linja të tjera për ish-komunat e Tiranës si Linzë, Mjull-Bathore, Bërzhitë, Shëngjergj etj (Të dhënat: Bashkia Tiranë).
Në këto linja operojnë 311 mjete.
Numri total i stacioneve është 451. Bashkia e Tiranës, në faqen zyrtare shkruan se pritja mund të variojë nga 3 deri në 13 minuta.

Por në realitet, qytetarët ankohen vazhdimisht se pritja është disa herë më e gjatë.
Shkak bëhet shpesh trafiku, por edhe mosvënia në dispozicion e mjeteve të nevojshme.

Gjatë kufizimeve të pandemisë, kompanitë e reduktuan numrin e mjeteve për të shmangur shpenzimet, teksa numri i pasagjerëve ishte më i pakët.

Përsa i përket trafikut, sipas Bashkisë së Tiranës, nga matjet e kryera në 12 rrugë kryesore të Tiranës rezulton se Rr. “Dritan Hoxha” ka fluksin më të lartë të automjeteve, me rreth 33,490 mjete në 24 orë, me drejtim hyrje në qytet. Fluksin më të ulët e ka Rr. “Xhanfize Keko” me rreth 9,620 mjete në 24 orë me drejtim dalje nga qyteti.

Çmimi i biletave ka ardhur duke u rritur. Operatorët kanë paralajmëruar një rritje tjetër këto ditë, si pasojë e shtrenjtimit të çmimit të karburanteve.
Katër vite më parë, kur çmimi i biletave u rrit me mbi 33%, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, premtoi transformim radikal të këtij shërbimi.

“Mbulimi i gjithë territorit me linja urbane, shtimi i flotës së autobusëve dhe korsive të dedikuara, aplikimi i sistemit të pikëzimit për çdo operator që ofron shërbimin në treg, si dhe përdorimi i teknologjisë së GPS, që të dimë ekzaktësisht shpejtësinë me të cilën po ecën, vendndodhjen, nëse ka trafik apo nëse një kompani ecën ngadalë për të mbledhur më shumë pasagjerë, janë disa nga masat që Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë për përmirësimin e shërbimit të transportit publik në Tiranë”, deklaroi në fillim të shkurtit 2017 ai.

Kryebashkiaku vendosi edhe 10 kushte që duhet të plotësonin operatorët. Pak ditë më parë, si pasojë e mosrespektimit të kushteve anti-covid bashkia pezulloi licensën e një kompanie të linjës së unazës.

Por as pezullimi i saj nuk e ka ndryshuar situatën. Në terren realiteti vijon të mbetet i njëjtë: pasagjerë pa maska, vonesa, urbanë të tejmbushur, ku kapaciteti tejkalohet thuajse me dyfishin e personave, teksa një urban duhet të transportojë jo më shumë se 60 persona.

Shumë stacione janë mbi korsi dhe jo në xhepa të posaçëm anës rrugës e në këtë mënyrë vetë urbanët shndërrohen në shkaktarë të kaosit të trafikut që mbizotëron në Tiranë.

Qeveria gjermane dha 50 milionë euro për transportin e gjelbër. Një linjë e tillë funksion në Tiranë. Ajo mund të ketë kontribuuar në uljen e ndotjes, por jo në rregullimin e shërbimit.

Në fillim të vitit, një studimi i kryer nga nisma ‘Artivizëm’, e ndërmarrë nga qendra STEPS, tregoi me shifra situatën shqetësuese të transportit publik dhe vuri theksin tek domosdoshmëria e ndërmarrjes së disa hapave për të sjellë ndryshim e përmirësim.

Ai tregoi se 90.7% e qytetarëve të Tiranës janë të pakënaqur me transportin urban. Studimi anketoi 1020, të cilët u pyetën për sigurinë, komunikimin e stafit (shoferi e fatorino), respektimn e orareve, çmimin e biletës, hapësirat personale, shërbimet për moshën e tretë dhe personat me aftësi ndryshe.

82 .4% e qytetarëve të anketuar raportuan nivel të ulët të sigurisë gjatë udhëtimit në urban. Vajzat dhe gratë raportuan episode të ngacmimeve seksuale apo edhe të vjedhjes së objekteve personale (si portofoli, aparati celular, bizhuteritë me vlerë.

Më shumë se 70% e qytetarëve përzgjodhën si shqetësuese elementet që lidhen me frekuencën e qarkullimit të urbanëve dhe mos respektimin e orareve.
Koha maksimale e pritjes, sipas të anketuarve, është 50 minuta, për linjën e Unazës.

94.31 % e të anketuarve nënvizuan si problem mungesën e higjenës. 70 % pastërtinë e sediljeve.

 

Me publikimin e studimit bashkia reagoi duke premtuar përmirësim të shërbimit. Por viti po mbyllet, vetë përdoruesit e linjave të urbanëve e shohin përditë se asgjë s’ka ndryshuar. /Zoom.al