Aplikacion
Nga sot, çmimi i kartonit jeshil për ata që udhëtojnë drejt Maqedonisë së Veriut do të ulet.
Sipas një vendimi të fundit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, kartoni jeshil do të jetë me vlefshmëri 1-vjeçare dhe do të kushtojë 50 euro.
Po ashtu, udhëtarët do të kenë mundësi të presin karton jeshil edhe për një periudhë 2-javore, duke paguar 15 euro.
Deri më sot, kartoni jeshil për 2 javë kushtonte 40 euro.
“Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në kuadër të zbatimit të rekomandimeve të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) për lehtësimin e lëvizjes ndërkufitare, ka bashkëpunuar ngushtë me Byronë Shqiptare të Sigurimit (BSHS), për të lehtësuar lëvizjen e autoveturave me targa shqiptare drejt vendeve kufitare.
Bazuar në vendimin e Byrosë Shqiptare të Sigurimeve (BSHS), qytetarët shqiptarë mund të pajisen tashmë në të gjitha pikat e shitjes së shoqërive të sigurimit me policën e sigurimit “Karton Jeshil” për autovetura me vlefshmëri 12-mujore, me çmim 50 Euro, e cila mbulon territorin e Maqedonisë së Veriut. Ky vendim mbështet lëvizjen e qytetarëve duke ulur kostot dhe nxitur shkëmbimet ekonomike me fqinjin tonë juglindor.
Shoqëritë e sigurimit do të ofrojnë në të gjitha pikat e shitjes policën e sigurimit “Karton Jeshil” për autovetura me afat vlefshmërie 1-vjeçar për Maqedoninë e Veriut, për Malin e Zi, si dhe do të vijojnë të ofrojnë edhe “Kartonin Jeshil” me afat vlefshmërie 15-ditor me çmim 15 euro”, thuhet në njoftimin e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare.
“Kartoni Jeshil” është një dokument sigurimi ndërkombëtar, që mbulon përgjegjësinë e drejtuesve të mjeteve me targa shqiptare në rast aksidenti gjatë qarkullimit jashtë territorit të vendit./ Zoom.al