Aplikacion
Zbardhen detaje nga ngjarja e ndodhur në Fushë-Arrëz, ku një punonjës i një kompanie të telefonisë celulare është gjetur në gjendje të rënduar shëndetësore pas një nate të kaluar në kushte ekstreme moti.
Sipas informacionit paraprak, 50-vjeçari Lumturi Kamberi kishte shkuar në zonën e antenave për të kryer punime teknike dhe për të rregulluar një defekt në rrjet. Gjatë ndërhyrjes, ai dyshohet se ka humbur ekuilibrin dhe është rrëzuar nga struktura e antenave, duke mbetur i bllokuar në terren malor dhe në temperatura shumë të ulëta.
Ai ka qëndruar për orë të tëra i ekspozuar ndaj të ftohtit dhe borës, pa mundësi për të kërkuar ndihmë, çka ka rënduar gjendjen e tij fizike.
Në orët e para të mëngjesit, ai është konstatuar rastësisht nga forca të ushtrisë që ndodheshin në zonë, të cilat kanë ndërhyrë menjëherë duke i dhënë ndihmën e parë dhe duke organizuar transportimin e tij drejt spitalit.
Fillimisht, i dëmtuari është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ka marrë trajtim emergjent. Mjekët bëjnë me dije se ai ka pësuar dëmtime serioze dhe vështirësi në lëvizje, veçanërisht në njërën këmbë.
Më pas, për trajtim më të specializuar, është transferuar në një spital privat, ndërsa gjendja e tij shëndetësore vijon të monitorohet nga bluzat e bardha./ Zoom.al