Aplikacion
Ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, së bashku me tre të dënuar të tjerë, kanë depozituar rekurs në Gjykata e Lartë, duke kërkuar shpalljen e pafajësisë.
Rekurs kanë paraqitur gjithashtu edhe Fiqiri Farruku, Fatmir Ejupi dhe Adrian Bulku, të cilët janë dënuar për “shpërdorim detyre” në lidhje me procedurat e tenderave në bashki.
Pas dorëzimit të kërkesës, në Gjykatën e Lartë është hedhur shorti për çështjen, ku si relator është caktuar gjyqtari Genti Shala.
Kujtohet se Gjykata e Posaçme e Apelit, më 16 shtator të vitit të kaluar, la në fuqi dënimin ndaj Dakos me 2 vite e 8 muaj burg për “shpërdorim detyre”. Vendimi lidhej me shkelje në procedurat për dhënien e lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatësh, si dhe me përdorimin e fondeve publike për ndërtimin e një shëtitoreje bregdetare.
Megjithatë, Dako ka kryer vetëm një pjesë të dënimit në qeli, nga momenti i arrestimit më 6 qershor 2023 deri më 27 shkurt 2024, kur u lirua për shkak të përfundimit të afatit të paraburgimit. Pjesa tjetër e dënimit është vuajtur në masën “arrest shtëpie”, e cila llogaritet si kohë vuajtjeje.
Ai u lirua nga burgu tetë muaj pas arrestimit, pasi SPAK nuk arriti të përfundonte hetimet brenda afateve të përcaktuara nga gjykata. Pas lirimit, Dako qëndroi në arrest shtëpie deri në vendimin përfundimtar të Apelit.
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit