zoom

Ekonomi

Trump trondit tregjet, 225 miliardë euro humbje në bursat europiane

Trump trondit tregjet, 225 miliardë euro humbje në bursat europiane

Donald Trump dhe politika e tij e tarifave po godasin edhe një herë tregjet financiare. Pas tarifave globale të vendosura nëntë muaj më parë, këtë herë presidenti amerikan ka shtuar një taksë shtesë prej 10% për tetë vende që kanë dërguar trupa në Groenlandë, territor mbi të cilin Trump ka shfaqur pretendime të hapura.

Por ndryshe nga herët e tjera, Evropa nuk duket e gatshme të qëndrojë pasive. Investitorët kanë frikë nga një spirale e re tarifash dhe kundërtarifash, frikë që u reflektua menjëherë në tregje. Vetëm dje, bursat evropiane humbën rreth 225 miliardë euro kapitalizim. Wall Street ishte e mbyllur dhe sot pritet të shihet reagimi i saj, por logjika e tregut është e qartë: Më shumë tarifa do të thotë më pak fitime për kompanitë e përfshira në import-eksport.

Goditja ishte e fortë në Paris (-1,78%), Frankfurt (-1,34%) dhe Milano (-1,32%), ku u zhdukën 14,4 miliardë euro kapitalizim. Në shënjestër ishin veçanërisht sektori i luksit (-3,4%), teknologjia dhe industria e automobilëve, që në të gjithë Evropën pësuan rënie rreth 3%.

Si zakonisht në momente tensioni tregtar, investitorët u drejtuan te asetet e sigurta. Ari theu një rekord të ri, duke kaluar 4.690 dollarë për onzë (+1,7%), ndërsa argjendi u rrit ndjeshëm në 94,2 dollarë për onzë (+6,49%). Sipas disa analistëve, metali i verdhë mund të testojë nivelin e 5.000 dollarëve në muajt në vijim. Ndërkohë, dollari amerikan u dobësua më tej ndaj monedhave kryesore (1,164 kundrejt euros), ndërsa çmimet e naftës dhe gazit u frenuan.

Kjo përplasje e re gjeopolitike rreth tarifave rrezikon të ngadalësojë aktivitetin ekonomik global. Në përditësimin e janarit të “World Economic Outlook”, FMN vlerëson rritjen e PBB-së globale në +3,3% për vitin 2026 dhe +3,2% për 2027. Raporti thekson se ekonomia globale është rimëkëmbur më shpejt se sa pritej nga goditjet tregtare të mëparshme, por paralajmërimet nuk mungojnë.

Drejtoresha e FMN-së, Kristalina Georgieva, ka deklaruar nga Davosi se çështja e Groenlandës mund të “frenojë rritjen” dhe se do të ishte më mirë të gjendej një marrëveshje pozitive për të gjithë, për të shmangur një përshkallëzim të ri tarifash që do të kishte ndikim të ndjeshëm në ekonomi.

Sipas Goldman Sachs, tetë vendet e prekura nga tarifat e reja të Trumpit – Britania e Madhe, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Holanda, Norvegjia dhe Suedia – mund të humbasin mes 0,1% dhe 0,2% të PBB-së, me pasoja edhe më të rënda nëse tensionet dëmtojnë besimin dhe tregjet financiare.

Postime të lidhura