zoom

Bota

Trump ashpërson qëndrimin për Groenlandën: Nuk jam më i detyruar të mendoj vetëm për paqen

Trump ashpërson qëndrimin për Groenlandën: Nuk jam më i detyruar të mendoj vetëm për paqen

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ashpërsuar ndjeshëm qëndrimin e tij për Groenlandën, duke deklaruar se nuk ndihet më i detyruar të fokusohet vetëm te paqja, mes përshkallëzimit të tensioneve me disa vende evropiane.

Në një letër drejtuar kryeministrit norvegjez Jonas Gahr Støre, e cila është shpërndarë edhe te disa ambasadorë evropianë në Uashington nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare, Trump shprehet se prioritetet e tij tashmë lidhen drejtpërdrejt me interesat strategjike të SHBA-së.

Sipas presidentit amerikan, refuzimi për t’i dhënë Çmimin Nobel për Paqen për ndalimin e disa konflikteve ndërkombëtare e ka çliruar atë nga detyrimi për të menduar “ekskluzivisht për paqen”, duke theksuar se tani do të veprojë për atë që e konsideron të drejtë dhe të nevojshme për vendin e tij.

Trump vë gjithashtu në dyshim aftësinë e Danimarkës për të garantuar sigurinë e Groenlandës, duke argumentuar se ishulli nuk mund të mbrohet nga kërcënimet e Rusisë apo Kinës. Ai shton se baza ligjore e sovranitetit danez mbi territorin është e paqart paqartë dhe se kontrolli i plotë i Groenlandës është thelbësor për sigurinë globale dhe atë të Shteteve të Bashkuara.

I dashur Jonas – Meqenëse vendi juaj ka vendosur të mos më japë Çmimin Nobel për Paqen për ndalimin e 8+ luftërave, nuk ndihem më i detyruar të mendoj ekskluzivisht për paqen, megjithëse ajo do të jetë gjithmonë parësore, por tani mund të mendoj për atë që është e mirë dhe e drejtë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”, ka shkruar Trump.

Sipas tij, Danimarka nuk mund ta mbrojë ishullin nga Rusia apo Kina.

“Danimarka nuk mund ta mbrojë këtë tokë nga Rusia apo Kina, dhe pse ka një ‘të drejtë pronësie’ gjithsesi? Nuk ka dokumente të shkruara, vetëm se një anije u ngec atje qindra vjet më parë, por kemi pasur edhe anije të ngecura atje. Unë kam bërë më shumë për NATO-n se kushdo tjetër që nga themelimi i saj, dhe tani NATO duhet të bëjë diçka për Shtetet e Bashkuara. Bota nuk është e sigurt nëse nuk kemi kontroll të plotë dhe total të Groenlandës.”

Letra e Trump vjen pak ditë pasi kryeministri norvegjez reagoi publikisht ndaj kërcënimeve tregtare të Uashingtonit, duke theksuar se presioni dhe kërcënimet nuk kanë vend mes vendeve aleate. Norvegjia ka riafirmuar mbështetjen e saj për sovranitetin danez mbi Groenlandën dhe për një qëndrim të përbashkët të NATO-s në forcimin e sigurisë në Arktik.

Ndërkohë, administrata amerikane ka njoftuar vendosjen e tarifave 10% ndaj disa vendeve evropiane, përfshirë Norvegjinë dhe Danimarkën, masa që pritet të hyjnë në fuqi më 1 shkurt. Nëse nuk arrihet një marrëveshje për Groenlandën, tarifat mund të rriten deri në 25% nga 1 qershori./ Zoom.al

Postime të lidhura