Aplikacion
Kreu i PD, Sali Berisha ka tërhequr vëmendjen në daljen e tij më të fundit publike, këtë herë jo vetëm për deklaratat, por edhe për stilin e tij.
Me kapele në kokë ku shkruhej numri 1, simbol i Partisë Demokratike në fletën e votimit, Sali Berisha ka ndaluar pasditen e sotme në Kamëz, ku ka prezantuar kandidatët e tij për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Pamja e tij, e ngjashme me stilin e njohur të Donald Trump gjatë fushatave në SHBA, nuk kaloi pa u vënë re nga të pranishmit dhe rrjetet sociale.
Në fjalën e tij para qytetarëve të Kamzës, Berisha premtoi rritje të ndjeshme të pensioneve, duke theksuar se nëse fiton zgjedhjet, do të sjellë ndryshime të menjëhershme në jetën e pensionistëve.
“Kjo qeveri u vërsul mbi taksat, poshtëroi pensionistët. Zotohem se në 100 ditët e para nuk do të ketë pensionist që nuk do të marrë 200 euro,” deklaroi ai me tone të forta.
Nga podiumi, Berisha nuk kurseu as kritikat për kryeministrin Edi Rama, të cilin e akuzoi për mungesë guximi dhe për deklarata të papërgjegjshme ndaj shtresës së pensionistëve.
“Më lejoni pak t’i them atij burracakut dy metra që fshihet, pasi e keni kapur me presh në dorë duke vjedhur, nuk del dot të ballafaqohet para jush në TV apo në skenë. Thotë që po të rrisim pensionin biem në humnerë, ndërsa sot tha do ta rrisim në 2030… ka deklaratë më cinike?” – vijoi Berisha.