Aplikacion
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se është i gatshëm të përdorë tarifat tregtare si instrument presioni ndaj vendeve që kundërshtojnë aneksimin e Groenlandës nga SHBA-ja.
Gjatë një aktiviteti të zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë, në kuadër të politikave për kujdesin shëndetësor, Trump e cilësoi veten si “mbreti i tarifave”, duke theksuar se kjo strategji mund të shtrihet edhe në rastin e Groenlandës, të cilën ai e konsideron thelbësore për interesat strategjike dhe sigurinë kombëtare amerikane.
Sipas tij, vendet që nuk bien dakord me këtë qasje mund të përballen me masa ekonomike ndëshkuese. Trump theksoi se kontrolli mbi Groenlandën është një çështje sigurie dhe jo thjesht politike apo ekonomike.
Prej kohësh, presidenti amerikan ka shfaqur interes për këtë territor gjysmë-autonom nën administrimin e Danimarkës, duke vënë në pah rëndësinë e tij gjeostrategjike në Arktik. Qëndrimet e tij kanë shkaktuar reagime të forta si nga autoritetet daneze dhe ato të Groenlandës, ashtu edhe nga qeveritë evropiane dhe përfaqësues të Kongresit amerikan nga të dyja krahët politikë.
Trump nuk specifikoi se cilat vende mund të preken apo nivelin e mundshëm të tarifave. Ndërkohë, Gjykata Supreme e SHBA-së pritet të shqyrtojë dhe të japë një vendim mbi ligjshmërinë e tarifave të vendosura në mënyrë të njëanshme nga administrata e tij në arenën ndërkombëtare.
Në deklaratën e tij, Trump u shpreh optimist se vendimi i Gjykatës Supreme do të jetë në favor të tij, duke paralajmëruar se çdo vendim i kundërt do të përbënte, sipas tij, një dëm për interesat e vendit./ Zoom.al