Aplikacion
Marrëdhëniet mes Danimarkës dhe Shteteve të Bashkuara janë vënë në provë nga përplasjet e hapura për të ardhmen e Grenlandës.
Ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, deklaroi se mes dy vendeve ekzistojnë mospajtime thelbësore dhe se bisedimet e zhvilluara në Uashington nuk prodhuan asnjë marrëveshje konkrete.
Pas takimeve me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe nënpresidentin JD Vance, Rasmussen pranoi se qëndrimi i administratës amerikane mbetet i pandryshuar.
Sipas tij, Uashingtoni vazhdon të shohë Grenlandën si një interes strategjik të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare të SHBA-së.
Në bisedime ishte e pranishme edhe ministrja e Jashtme e Grenlandës, Vivian Motzfeldt, çka tregon rëndësinë që kjo çështje ka marrë për autoritetet vendore të ishullit gjysmë-autonom.
“Ne nuk arritëm të ndikojmë në pozicionin amerikan. Është e qartë se presidenti Donald Trump synon ta marrë Grenlandën”, u shpreh Rasmussen, duke theksuar se një skenar i tillë bie ndesh me interesat e Mbretërisë së Danimarkës.
Kryediplomati danez e cilësoi të panevojshme çdo ide për marrjen e kontrollit të ishullit nga SHBA-ja, duke rikujtuar se Uashingtoni prej vitesh ka prani ushtarake në Grenlandë dhe se nevojat e sigurisë janë tashmë të mbuluara.
Ai shtoi se kjo temë është jashtëzakonisht e ndjeshme për opinionin publik në Danimarkë dhe Grenlandë, duke rikujtuar se dy vendet janë aleate të SHBA-së dhe se trupat daneze kanë luftuar dhe kanë humbur jetën krah forcave amerikane në misione ndërkombëtare si Afganistani dhe Iraku.
“Çdo ide që cenon integritetin territorial të Mbretërisë së Danimarkës dhe të drejtën për vetëvendosje të popullit të Grenlandës është plotësisht e papranueshme”, theksoi Rasmussen, duke nënvizuar se pikërisht këtu qëndron thelbi i mosmarrëveshjes.
Megjithatë, palët kanë rënë dakord të krijojnë një komitet të përbashkët, i cili pritet të mblidhet në javët në vijim, me synimin për të eksploruar mundësi zgjidhjeje diplomatike.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka vijuar retorikën e tij të fortë, duke përsëritur publikisht se Grenlanda duhet të bëhet pjesë e SHBA-së. Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se “të gjitha opsionet janë në tryezë”, përfshirë blerjen apo edhe veprime më të ashpra.
“NATO do të ishte shumë më e fortë me Grenlandën në duart e Shteteve të Bashkuara”, shkroi Trump në rrjetin Truth Social, duke përmendur kërcënimet nga Rusia dhe Kina.
Nga ana tjetër, Danimarka ka nisur të rrisë praninë ushtarake në dhe rreth Grenlandës./ Zoom.al