Aplikacion
Autoritetet në Maldive kanë zbardhur detaje të reja mbi tragjedinë nënujore ku pesë zhytës italianë humbën jetën gjatë eksplorimit të një shpelle të njohur në zonë.
Sipas hetimeve paraprake, grupi kishte hyrë me dëshirë në shpellën nënujore, hyrja e së cilës konsiderohej e sigurt dhe lehtësisht e dallueshme. Zhytësit fillimisht kaluan në një hapësirë të madhe brenda shpellës dhe më pas vazhduan në një korridor të ngushtë me formë të lakuar, që çonte drejt një dhome tjetër në thellësi.
Problemet nisën në momentin kur grupi tentoi të rikthehej drejt daljes. Hetuesit dyshojnë se pesë turistët humbën orientimin për shkak të kushteve të vështira brenda shpellës dhe mungesës së dukshmërisë.
Ekspertët që kanë inspektuar zonën kanë shpjeguar se rrymat nënujore lëvizin vazhdimisht sedimentet dhe rërën në fund të shpellës, duke krijuar një efekt vizual mashtrues. Sipas tyre, grumbullimet e sedimentit në pjesën ku ndodhet korridori i kthimit mund të japin përshtypjen sikur hyrja është e bllokuar, çka mund t’i ketë çorientuar zhytësit gjatë tentativës për t’u larguar.
Për shkak të konfuzionit dhe kohës së humbur në kërkim të daljes, grupi dyshohet se ka mbetur pa oksigjen brenda shpellës, duke sjellë tragjedinë./ Zoom.al