Aplikacion
Një aksident ajror katastrofik ka tronditur Indinë dhe mbarë botën. Më shumë se 290 persona kanë humbur jetën kur një avion i kompanisë Air India, me destinacion Londrën, u rrëzua vetëm pak minuta pas ngritjes nga qyteti perëndimor i Ahmedabad-it, të enjten. Autoritetet e kanë cilësuar këtë si katastrofën më të rëndë ajrore në botë gjatë dekadës së fundit.
Në bord ndodheshin 242 pasagjerë, por viktimat përfshijnë edhe persona që ndodheshin në tokë, pasi avioni u përplas mbi një konvikt të një kolegji mjekësor gjatë orëve së drekës, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe shumë viktima mes studentëve dhe banorëve lokalë.
Sipas të dhënave të deritanishme, të paktën një pasagjer ka mbijetuar. Nga shtrati i spitalit, ai tregoi për mediat se dëgjoi një zhurmë të fortë menjëherë pas ngritjes, pak sekonda para se avioni të përplasej.
“30 sekonda pas ngritjes, dëgjova një zhurmë të madhe dhe më pas ndodhi përplasja. Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Kur u zgjova, pashë trupa rreth meje. U ngrita dhe vrapova. Ishte tmerr”, rrëfeu ai.
I mbijetuari shtoi se po udhëtonte me vëllain e tij, i cili ishte ulur në një rresht tjetër dhe që për momentin rezulton i zhdukur.
Policia lokale ka konfirmuar se trupat e viktimave përfshijnë pasagjerë të avionit si dhe banorë të ndërtesës ku avioni u rrëzua. Ndër viktimat ndodhet edhe një zyrtar i njohur lokal. Për identifikimin e trupave, autoritetet u kanë kërkuar familjarëve të ofrojnë mostra të ADN-së./ Zoom.al