Aplikacion
Situata politike në Kosovë vijon të mbetet e tensionuar, ndërsa përpjekjet për zgjedhjen e presidentit nuk kanë arritur ende të prodhojnë një marrëveshje mes forcave kryesore politike.
Pas takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, qëndrimet e palëve janë shfaqur të ndryshme. Kurti është treguar optimist, duke theksuar se ekziston vullnet për të shmangur zgjedhjet dhe se një marrëveshje është e mundur.
Në të kundërt, Abdixhiku ka përsëritur qëndrimin e tij se një parti nuk mund të mbajë tri pozitat kryesore, duke lënë të hapur mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje nëse nuk arrihet kompromis.
Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka vendosur kushte për një takim me Kurtin, duke kërkuar formalizim të ftesës dhe seriozitet institucional. Nga ana tjetër, Kurti ka kritikuar këtë qasje, duke nënvizuar se mungesa e emrave konkretë e vështirëson arritjen e një marrëveshjeje për presidentin dhe se pa propozime konkrete procesi mbetet i bllokuar.
Kritika kanë ardhur edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Kreu i saj, Ramush Haradinaj, ka akuzuar Kurtin për mungesë prioriteti në këtë proces, duke shtuar se pikërisht për këtë arsye vendi po shkon drejt zgjedhjeve.
Kosova tashmë ndodhet përballë një afati të kufizuar për zgjedhjen e presidentit dhe, nëse mungon një marrëveshje politike, rrezikon të përballet me zgjedhje të reja./ Zoom.al