zoom

Ide & Blog

Tesera e Rilindjes, si licensë për të vjedhur, kontrabanduar e trafikuar

Edi Rama e pati shndërruar në objektiv kryesor të luftë së tij politike ndaj Ilir Metës, gjuetinë e drejtorëve të LSI-së në kohën kur ai ndante tepsinë me njeriun që e solli në pushtet.

Përmes hetimeve të policisë dhe një propagande të fortë mediatike, ai arriti t’i japë shumë më tepër zë perceptimit se drejtorët e LSI-së ishin hajdutë me thasë në shpinë.

LSI-ja u largua nga qeveria në 2017-ën bashkë me drejtorët, por thasët e vjedhjes ngelën në zyrat e administratës. Në pak kohë i vunë ato në shpinë jo vetëm drejtorët e rinj, por edhe ministrat, zëvendësministrat, specialistët e administratës e deri shoferët e pushtetarëve.

Vetëm në dy ditët e fundit kanë përfunduar në pranga një ish -drejtoreshë e Bashkisë së Tiranës që kishte marrë mbi 250 mijë euro duke u premtuar qytetarëve të ndryshëm fonde nga AZHBR-ja dhe një specialiste e AKSHI-t, e cila, ndoshta në pamundësi për të bërë para të shpejta në vendin e punës, kishte zgjedhur të merrej me trafik droge.

Specialistja E.F kishte qenë edhe numëruese e Partisë Socialiste në zgjedhje.

Pak muaj më parë, shoferi i një drejtori të Bashkisë së Tiranës u arrestua po ashtu se trafikonte kokainë.

Dy ministra të qeverisë Rama dhe një deputet janë në burg për vjedhje të parave të taksapaguesve dhe për drogë. Lefter Koka akuzohet se ka përfituar afro 4 milionë euro nga inceneratorët.

Një shifër kjo që e bën të papërfillshme 700 mijë euroshin e Ilir Metës në videon e Dritan Priftit, që Edi Rama e përdori për të sulmuar selinë e qeverisë më 21 janar 2011. Saimir Tahiri akuzohet se ka neglizhuar grupin e Habilajve në trafikun e drogës.

Në dogana, kontrabanda lulëzon, tani edhe me thyerje të embargove ndërkombëtare. Është flagrant rasti i anijes me naftë nga Libia që do të shkarkohej në Porto Romano për llogari të shoqërisë Kastrati. Por veç kapitenit të anijes dhe marinarëve, nuk ka asnjë të arrestuar. Në këtë mënyrë, punonjësit e korruptuar të doganave, apo ata që marrin urdhra politikë, nuk kanë si ta kenë frikë ligjin dhe institucionet ligjzbatuese.

Departamenti Amerikan i Shtetit nënvizoi në raportin e fundit se korrupsioni është i shtrirë në çdo degë të qeverisjes. E thënë thjeshtë: në çdo institucion e thuajse në çdo zyrë vidhen paratë e qytetarëve shqiptarë.

Po kush po i vjedh? Administrata Publike mbetet e politizuar. Aty janë punësuar njerëz me teserat e Rilindjes, të përdorur politikisht nga Rilindja, të angazhuar fuqimisht në fushta elektorale edhe pse kjo është e ndalur me ligj.

Është larg imagjinate që të gjesh sot në punë drejtorë, të cilët janë të angazhuar politikisht me opozitën. Dhe po ashtu, është thuajse jashtë çdo mundësie që të gjesh drejtorë e funksionarë pa teserën e Rilindjes në xhep.

Politizimi i tejskajshëm dhe përdorimi i administratës për qëllime politike apo për t’u shërbyer aferave qeveritare, e ka çorientuar administratën aq shumë, sa punonjësit po bëjnë gjithçka për t’u pasuruar, duke shkelur rregulla e ligje, duke vjedhur e duke firmosur shkresa vjedhjejesh. E kur mundësitë janë të pakta në administratë, zgjidhja është droga, një virus të cilën qeveria e Rilindjes jo vetëm nuk ka mundur ta izolojë, por i ka krijuar kushtet të shpërthejë në çdo formë. /Mikel Ora