zoom

Bota

Teherani pezullon dialogun me Uashingtonin pas sulmeve izraelite

Teherani pezullon dialogun me Uashingtonin pas sulmeve izraelite

Irani ka vendosur të pezullojë të gjitha kontaktet dhe negociatat indirekte me Shtetet e Bashkuara, në një moment kur tensionet në rajon vijojnë të përshkallëzohen.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia iraniane Tasnim, e afërt me Gardën Revolucionare Islamike, e cila raportoi se vendimi lidhet me zhvillimet e fundit në Liban dhe shkeljet e armëpushimit nga Izraeli.

Sipas raportimeve, Teherani e konsideron situatën në Liban pjesë të marrëveshjes së përgjithshme të armëpushimit dhe pretendon se sulmet e vazhdueshme izraelite kanë minuar çdo mundësi për vijimin e dialogut.

“Për shkak të shkeljeve të vazhdueshme në Liban dhe në fronte të tjera, ekipi negociator iranian ka vendosur të ndërpresë përkohësisht komunikimet dhe shkëmbimin e mesazheve përmes ndërmjetësve”, thuhet në raportimin e Tasnim.

Më herët gjatë ditës, ministri i Jashtëm iranian Abbas Aragchi deklaroi se çdo cenim i armëpushimit në një zonë konsiderohet shkelje e marrëveshjes në tërësi.

Sipas tij, armëpushimi mes Iranit dhe SHBA-së duhet të respektohet në të gjitha frontet, përfshirë edhe Libanin.

“Çdo shkelje në një front përbën shkelje të plotë të armëpushimit. Për pasojat mbajnë përgjegjësi SHBA-të dhe Izraeli”, shkroi Aragchi në platformën X./ Zoom.al

Postime të lidhura