zoom

Aktualitet

Të martën mblidhet Këshilli Bashkiak, anëtarët e PS gati kërkesën për shkarkimin e Erion Veliajt

Të martën mblidhet Këshilli Bashkiak, anëtarët e PS gati kërkesën për shkarkimin e Erion Veliajt

Ditën e martë do të mblidhet Këshilli Bashkiak i Tiranës për të shqyrtuar kërkesën për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit.

Anëtarët socialistë të Këshillit Bashkiak, në një mbledhje në selinë e PS, vendosën të paraqesin kërkesën për shkarkimin e qytetarit të parë të Tiranës duke përdorur nenin 62, pika 3 të ligjit për Vetëqeverisjen Vendore që thotë se “Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.”

Të njëjtën kërkesë për shkarkimin e Erion Veliajt e kanë paraqitur në muajin maj edhe këshilltarët e opozitës. Sipas ligjit, kur procedura e shkarkimit të mbyllet, qeveria njofton Presidentin e Republikës për vakancën dhe kreu i shtetit duhet të dekretojë brenda 48 orëve datën e zgjedhjeve të cilat zhvillohen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga momenti i njoftimit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua në 10 shkurtin e këtij viti. Pak ditë më parë SPAK mbylli hetimet dhe çështja tashmë është në gjykatë. Pas përfundimit të hetimeve nga Prokuroria, ndaj kryebashkiakut në detyrë rëndojnë 5 akuza: “korrupsion pasiv”, “pastrim parash”, “fshehje e mosdeklarim i pasurisë” dhe “futje e sendeve të palejuara në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale”. Më 29 shtator Erion Veliaj për herë të parë do të dalë si i pandehur përpara Gjykatës së Posaçme. Zoom.al/

Postime të lidhura