Aplikacion
Ditën e sotme, Kuvendi po shoqërohet me debate dhe akuza të forta, ku nuk mungojnë tensionet dhe replikat ironike.
Një prej tyre ishte edhe përplasja e deputetit të “Mundësia”, Agron Shehaj me kreun e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Kryetari i “Mundësia” nuk kurseu ironinë në fjalën e tij duke akuzuar mazhorancën se po mbronte të pandehurën Balluku për aferat e saj, por tashmë sipas tij, socialistëve u ka ardhur fundi. Në fjalën e tij, Shehaj iu referua edhe Taulant Ballës, duke i kujtuar se kishte frikë të përmendtte drejtësinë, gjykatën dhe prokurorinë se “s’ia mbante”.
Kjo soli edhe reagimin nga vendi të Ballës, që i kërkoi Shehajt që kur t’i përmendte emrin, të bënte “gargare me ujë të kripur Vlore”. Madje i kujtoi që nëse do të “pendohej Lulzim Basha, atëherë do tregonte se sa lekë kishte paguar për mandatin e deputetit më 2017”.
Kjo shkaktoi edhe të qeshura te deputeti Shehaj dhe duartrokitje nga deputetët socialistë në sallë.
Shehaj tha:
“Kam një muaj që kërkoj interpelancë me ministren Balluku dhe për fat të keq nuk është realizuar dhe tani nuk është ministre. Unë kam interpelancë me kryeministrin tani, por ju nuk e ndryshoni dot, ju kërkoni të shmangni llogaridhënien, po nuk shpëtoni dot. Kur u arrestua Veliaj ishte çështje që kishte të bënte me Veliajn, tani që u mor e pandehur Balluku ka të bëjë me Ballukun, tani edhe Kërçanaj e AKSH-it. Nuk ka më, duhet të jepni llogari, s’keni ç’i bëni as drejtësisë dhe as SPAK-ut, është i mbrojtur nga ndërkombëtarët. Rama bën broçkulla me Gjykatën Kushtetuese se gjoja janë bllokuar punët dhe nuk udhëton dot ministrja në Kanada dhe kështu me radhë, na kujton çështjet italiane. Del Taulant Balla flet për Chat GPT, por thotë prapë se s’flet për drejtësinë, gjykatësit e prokurorët, s’ia mban se ka frikë se përfundon si të tjerët. S’e ndalni dot ndryshimin dhe drejtësinë, është ndryshim historik. Bashkëpunoni me drejtësinë se ju ka ardhur fundi”.
Balla iu përgjigj me replikë:
“E dëgjoj shpesh këtë deputetin që për t’u bërë interesant në rrjetin e tij social bërtet dhe për t’u bërë interesantin bërtet. Kur të përmendësh emrin tim laj gojën, bëj gargare kur të përmendësh emrin tim dhe bëje gargaren me ujë të kripur Vlore. Se po u pendua Lul Basha do tregojë se sa para ke marrë për të fituar mandatin e deputetit më 2017. Kujdes se mos e bën të penduar Lulin”./ Zoom.al