zoom

In Zoom

Tallja me uljen e avionit të parë në Kukës. Si po kthehet në bumerang propaganda me 3D

Ulja e një avioni për herë të parë në një pistë të re, apo prova e një avioni të sapo dalë nga prodhimi, janë sigurisht evente të mëdha për kompanitë që i menaxhojnë këto industri, e po ashtu edhe për vendet që i zotërojnë.

Kështu duhet të ishte edhe ulja e avionit të parë në aeroportin e Kukësit, pas punimeve të kryera nga kompania koncesionare “Kastrati Group”.

Kështu u njoftua nga Minisrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.

Por kur Balluku u shfaq në pistë për të ndjekur uljen, u pa që avioni, një mjet i vogël sportiv, vetëm sa kaloi mbi pistë. Nuk u ul në të, as nuk e preku.

E megjithatë, kjo u konsiderua si ulje, si provë e parë se në këtë pistë mund të ulen e ngrihen avionë.

A u provua kjo? Jo! Por Ministrja Balluku insiston se kjo ishte ulje. Lexoni se çfarë tha ajo teksa avioni po i afrohej pistës.

“Kemi atëherë uljen e avionit këtu në pistë. Është një moment i veçantë, pasi është hera e parë, pavarësisht se do të ketë një fluturim zyrtar të herës së parë, për faktin që tashmë do të ulet një avion për herë të parë, pas gjithë ndryshimeve dhe gjithë punimeve shumë të shpejta dhe shumë silcësore, serioze dhe profesonale që janë bërë këtu në aeroportin e Kukësit…

Të qartësojmë edhe një gjë tjetër. Kur themi se avioni do të ulet në lartësi shumë afër pistës, por pa e prekur atë, duke qenë se në pistë vazhdohet akoma të punohet dhe për arsye sigurie avioni nuk do të prekë tokën, por do të ulet deri në atë pikë që ne mund të konfirmojmë që procedura është e saktë, pra është kryer ulje edhe pa prekur pistën, për arsye sigurie.”

  Nëse nuk e besoni, dëgjojeni në videon e mëposhtme, të postuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Pas kësaj prove, askush nuk thotë dot nëse avionët mund të ulen apo jo mbi këtë pistë. Testi i Ministres Balluku nuk solli prova.

Po përse e gjithë kjo zhurmë për fluturimin e një avioni 5 vendësh mbi aeroportin e Kukësit?

Qeveria ka kohë që po trumbeton projektet e saj futuristike. Aeroporti i Kukësit ka kohë që shëtit nëpër internet si një projekt 3D që duhet të ishte realizuar që 1 vit më parë, sipas premtimit të kryeministrit Edi Rama.

Një projekt tjetër 3D, ai për linjën hekurudhore Tiranë – Durrës është shndërruar në objekt tallje në rrjetet sociale, për shkak se bëhej fjalë për një video-montazh të marrë nga një lojë e Play Station për fëmijë (shih më poshtë lajmin e zoom.al).

Të tjera projekte 3D, për rrugë, ura apo porte detare, të shpërndara nga qeveria, kanë përmbytur rrjetet sociale këto muaj, si pjesë e fushatës elektorale për të bindur opinionin publik që të votojë Edi Ramën për një mandat të tretë.

Por kjo mënyrë ka rezultuar manipulative dhe po kthehet në një bumerang për ideatorët dhe promotorët e saj. ©Zoom.al

 

Projekti 3D i hekurudhës Tiranë-Rinas, i vjedhur nga Katari. PD publikon videon