zoom

Bota

Tallja e Ramës me Trump merr dhenë. Politico: Bëri për të qeshur Macron

Tallja e Ramës me Trump merr dhenë. Politico: Bëri për të qeshur Macron

Një batutë e kryeministrit Edi Rama në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Kopenhagen është bërë virale dhe ka tërhequr vëmendjen e mediave botërore.

Pas medias ruse “RT”, edhe “Politico” i ka kushtuar një artikull ironisë së Ramës për presidentin amerikan Donald Trump.

Ky i fundit, ka ngatërruar shpesh Shqipërinë me Armeninë, teksa fliste për marrëveshjen mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.

“Politico” vë në dukje se me komentin e tij ironizues, ku i kërkonte Emmanuel Macron t’i kërkonte falje pse s’e ka uruar për marrëveshjen me Azerbajxhanin, Rama bëri për të qeshur presidentin francez.

Shkrimi i “Politico”:

Në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Kopenhagen, Kryeministri shqiptar Edi Rama u filmua duke bërë shaka me Presidentin francez Emmanuel Macron dhe Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.

“Duhet të na kërkosh falje… sepse nuk na uroi për marrëveshjen e paqes që Presidenti Trump bëri midis Shqipërisë dhe Azerbajxhanit,” i tha Rama Macron-it, duke bërë që Aliyev të qeshë.

Macron iu përgjigj me humor: “Më vjen keq për këtë.”

Presidenti amerikan Donald Trump ka ngatërruar disa herë Shqipërinë me Armeninë kur ka folur për përpjekjet e tij për të zgjidhur tensionet midis Armenisë dhe Azerbajxhanit. Ai ka deklaruar shpesh se ka “zgjidhur konflikte të pazgjidhshme” duke përmendur Shqipërinë dhe Azerbajxhanin, ndërkohë që në realitet kishte ndërmjetësuar mes Armenisë dhe Azerbajxhanit./ Përktheu në shqip Zoom.al

Postime të lidhura