zoom

Ekonomi

Tabaku: Buxheti i njëjti avaz socialist. Më shumë taksa për shqiptarët dhe rritje çmimesh!

Tabaku: Buxheti i njëjti avaz socialist. Më shumë taksa për shqiptarët dhe rritje çmimesh!

Opozita e ka cilësuar si buxhet oligarkësh, teksa seanca e të enjtes u kthye në një kaos, ku mazhoranca e kaloi e vetme projektin.

Duke komentuar projekt-buxhetin e vitit 2024, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, akuzoi socialistët se çdo vit rrisin taksat për të çuar paratë në buxhetin e oligarkëve. Në një postim në Facebook, Tabaku thekson se 195 milionë euro arbitrazhi, PPP-të korruptive, si dhe 145 milionë euro që janë të gjitha në hetim nga SPAK-u, përbëjnë realitetin shqiptar ekonomik.

Reagimi i plotë i Tabakut:

“Besoj të gjithë i keni dëgjuar shifrat stratosferike që po prezantohen me buxhetin tashmë. Asnjë lidhje me realitetin e xhepave të qytetarëve shqiptarë. Dy gjëra ka buxheti: Rritjen e përgjithshme të taksave me 70 mln euro, i njëjti avaz socialist i 10 viteve të fundit; dhe e dyta, ka një rritje të përgjithshme të çmimeve që reflektohet me më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit. Nga pikëpamja e shpenzimeve, a do të sjellë gjë në xhepat e qytetarëve shqiptarë?

9% më pak fonde bujqësia, 195 milion euro arbitrazhi, PPP-të korruptive, 145 milion euro që janë të gjitha në hetim nga SPAK-u. Si përfundim, avazi i 10 viteve të shkuara, e njëjta filozofi, asnjë sektor që ka mbështetje kryesore, asgjë për qytetarët shqiptarë në fund të ditës!”. /ZOOM.AL/