Aplikacion
Ai tha se ka brenga në rritje që skenarë të tillë si shtyrja e shqyrtimit të rekomandimit të Asamblesë së Përgjithshme të KiE të shtyhet për vitin e ardhshëm, ose hedhja në votim dhe mosarritje e votave të nevojshme mund të ndodhin.
“Prej sot jemi në muajin kur do vendosur a po bëhet sivjet Kosova anëtare e Këshillit të Evropës apo rekomandimi i Asamblesë parlamentare për anëtarësim shtyhet për shqyrtim vitin e ardhshëm; edhe më keq, vihet në votim e nuk arrin dy të tretat e nevojshme të votave për. Numri i njerëzve që janë të brengosur që kjo çështje të mos kalojë sivjet është në rritje dhe brenga është me vend: anëtarësimi në Këshill të Evropës e vë Kosovën institucionalisht në binarët e vet të natyrshëm evropianë.
Për më tepër, ndihmon më tej në kulturën e sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe – ndonëse bëhet për një organizatë që nuk merret me çështje të sigurisë – është një sinjal i duhur që tensionet e krijuara me vite brenda vendit kanë një kornizë më të mirë zgjidhjeje sesa barrikadat apo prania e përhershme e forcave speciale si garantues të mirëqenies së qytetarëve”.
Surroi thotë se shtyrja e anëtarësimit është një goditje ndaj identitetit ndërkombëtar të vendit, përkatësisë natyrore evropiane të tij dhe ngritjes së tij si shtet me evoluim shembullor demokratik në regjion.
“Dhe shtyrja e anëtarësimit largon nga ne pikën e parë të synuar në Dialog: barazinë. Anëtarësimi në KiE i jep mundësinë Kosovës që të bëhet anëtare e mbi 220 konventave që hyjnë nën ambrellën e saj. Kosova me automatizëm po përfiton nga e drejta barazisë që parashikon neni 1 i Marrëveshjes Bazike. Kosova barazohet me Serbinë dhe fiton të drejtën që ta raportojë atë për çdo shkelje të këtyre konventave në raport me Kosovën. Shembulli imediat: Konventa Evropiane për Trashëgimi Arkeologjike do të na mundësonte të kthejmë artefaktet Muzeut të Kosovës që sot janë ende të mbajtura kundërligjshëm në Beograd”.
Ai përmendi që Kosovës po i kërkohet prej përkrahësve të saj më të mëdhenj – vendeve të Quintit dhe shteteve të tjera tradicionalisht përkrahëse që të “shënohet veprim përpara dhe i pakthyeshëm drejt Asociacionit të Komunave me Shumicës Serbe”. Ai tha se Kosova ka obligim që të bëjë dakordimin e veprimeve të veta negociatore me kornizën ligjore.
“Procesi i dakordimit, në Marrëveshjet e 2013 e 2015 nuk është i natyrës së verifikimit të akteve të kryera ligjore. Kështu, Kosova nuk duhet të presë që të arrihet një marrëveshje e përmbyllur ligjore (si p.sh. Ligji për Asociacion, Statut i Asociacionit a diçka të ngjashme), në mënyrë që të bëjë verifikimin se a i përshtatet kornizës juridike të vendit. Këtë e ka dëshmuar më 2015 kur objekt i verifikimit në Gjykatën Kushtetuese nuk ishte një draftstatut të Asociacionit, por një sërë parimesh që do ta ndërtonin atë”.
Surroi shton se Kosova ka të drejtë që pa pritur ndonjë marrëveshje përfundimtare në procesin negociator të Brukselit që do të përshkruajë se si mund të bashkëpunojnë komunat mes vete të bëjë verifikimin e rezultatit të deritanishëm të procesit negociator.
“Ai rezultat i deritanishëm, në besimin e vendeve të Quintit, është draftstatuti për Asociacionin, si një dokument zyrtar i ndërmjetësimit të BE-së. Dhe, kështu mbërrijmë te pika ku Kosova , duke u larguar prej dy mureve arrin një zgjidhje të mesme: vendi ka obligim që të hartojë një kornizë shtesë për lirinë e bashkëpunimit ndërkomunal dhe ka të drejtën që gjatë rrugëtimit për hartimin e kësaj kornize shtesë të verifikojë a është ligjshmërisht në kahe të duhur apo jo. Meqë kemi të bëjmë me një gjendje të papërmbyllur ligjore (dekret, ligj, marrëveshje) institucioni i vetëm i cili mund të ecë tutje në zgjidhjen e mesme është Presidentja e vendit. Ajo ka të drejtë që ta dërgojë Draftin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Madje, nuk është vetëm e drejtë e saj, por është pjesë e një obligimi.
Më 2015, me aktgjykimin e vet Gjykata Kushtetuese e Kosovës u shpreh qartazi për obligimin e vendit rreth hartimit të kornizës shtesë ligjore për të drejtën e bashkëpunimit komunal. Përgjatë nëntë vjetëve të kaluara institucionet e vendit nuk e kanë zbatuar aktgjykimin e Kushtetueses. Ekziston obligimi i Presidentes së vendit që të informojë rreth zbatimit të aktgjykimit të Kushtetueses së vitit 2015 dhe si pjesë e këtij informimi të dorëzimit të dokumentit i cili i është ofruar Kosovës si mundësi zbatimi të aktgjykimit. Pyetja e cila do të ngrihej në këtë proces informimi do të ishte se a mund të konsiderohej Draftstatuti i ofruar përmbushës i udhëzimeve të aktgjykimit të vitit 2015”.
Surroi në fund thotë se presidentja Vjosa Osmani bëri një hap të mirë drejt konsensusit kur i bëri thirrje BE-së që zyrtarisht t’ua dorëzojnë dokumentin e draft-statutit udhëheqësve të opozitës në Kosovë.
Hapi i ardhshëm, thotë Surroi, mbase mund të ishte që t’i ftonte, “t’i dëgjonte vërejtjet e tyre rreth Draftit dhe që së bashku me kryetarin e partisë në pushtet e njëherësh kryeministrin, ta dërgojë informatën konsensuale në Gjykatën Kushtetuese me kërkesë për udhëzime të mëtejme juridike nga instanca më e lartë për mbrojtjen e kushtetutshmërisë”.