Aplikacion
E rreshtuar kundër ndërhyrjes amerikano-izraelite në Iran, Spanja ka vendosur të mbyllë hapësirën e saj ajrore për avionët amerikanë të angazhuar në luftën në Lindjen e Mesme.
Spanja, qeveria e së majtës e së cilës është “tërësisht kundër” sulmeve amerikano-izraelite kundër Iranit, ka mbyllur hapësirën e saj ajrore për avionët amerikanë të përfshirë në këtë luftë, njoftoi këtë të hënë Ministrja spanjolle e Mbrojtjes.
“Përdorimi i bazave (amerikane në Spanjë) nuk është i autorizuar, dhe sigurisht as përdorimi i hapësirës ajrore spanjolle për aksione në lidhje me luftën në Iran nuk është i tillë”, deklaroi Margarita Robles në deklaratat e përcjella për AFP, duke konfirmuar një informacion të së përditshmes El País.
Në praktikë, “refuzimi i bashkëpunimit nga Spanja ka komplikuar operacionin” amerikan në Lindjen e Mesme, pohon El País, pasi disa bombardues të Uashingtonit u “desh të anashkalonin gadishullin Iberik për të hyrë përmes ngushticës së Gjibraltarit”, duke i detyruar ata “të ndryshonin itineraret” dhe logjistikën.
“Vetoja spanjolle përmban vetëm një përjashtim: në rast urgjence, tranziti ose ulja e mjeteve fluturuese në fjalë është e autorizuar”, vijon e përditshmja, gjë të cilën Margarita Robles, nga ana e saj, nuk e ka specifikuar.
Spanja kundër luftës në vijim
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez është kundërshtuar me forcë ndaj luftës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kundër Iranit që prej 28 shkurtit, duke e cilësuar atë si “të paligjshme” dhe një “gabim të jashtëzakonshëm”.
Këto deklarata i kanë kushtuar atij kritika të ashpra nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili ka kërcënuar si hakmarrje me “ndërprerjen” e çdo tregtie dypalëshe pas refuzimit të Madridit për të lejuar ushtrinë amerikane të përdorë dy bazat e saj të ndodhura në Spanjë në operacionin e saj ushtarak kundër Iranit.
El País saktëson gjithsesi se “të gjitha misionet e parashikuara nga marrëveshja dypalëshe me Uashingtonin mbeten në fuqi” sa i përket këtyre dy bazave amerikane në Andaluzi, në jug të Spanjës. Baza detare e Rota-s dhe ajo ajrore e Morón-it janë trashëguar nga një marrëveshje e nënshkruar mes Uashingtonit dhe Madridit në vitin 1953 nën epokën e Frankos.
Përtej luftës në Lindjen e Mesme, Donald Trump i reproshon prej muajsh Spanjës se nuk i ka rritur shpenzimet e saj ushtarake në 5% të PBB-së, siç e kërkon objektivi i ri i NATO-s i shtyrë nga banori i Shtëpisë së Bardhë.
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit