zoom

Aktualitet

SPAK kërkon 13 vite burg për Rezart Taçin, i akuzuar për pastrim milionash të mafies italiane

SPAK kërkon 13 vite burg për Rezart Taçin, i akuzuar për pastrim milionash të mafies italiane

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur kërkesën për dënimin me 13 vite burg të biznesmenit Rezart Taçi, i akuzuar për përfshirje në një skemë të gjerë pastrimi parash me vlerë rreth 18.3 milionë euro, të dyshuara si të ardhura të mafias italiane.

Sipas SPAK, Taçi ndodhet aktualisht në kërkim dhe po gjykohet në mungesë për veprat penale të pastrimit të produkteve të veprës penale dhe pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal. Për shkak se ai nuk është lokalizuar për t’u arrestuar, procesi gjyqësor kishte mbetur i pezulluar për rreth një vit, ndërsa ndaj tij ishte vendosur më herët masa e sigurisë “arrest në burg”.

Gjatë seancës, drejtuesi i SPAK Klodian Braho kërkoi gjithashtu konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit shqiptar të shumës prej afro 18 milionë eurosh, që dyshohet se i përkasin organizatave kriminale italiane.

Hetimet tregojnë se Taçi u shpall në kërkim ndërkombëtar në nëntor të vitit 2021, pasi u dyshua se kishte luajtur rol kyç në një operacion financiar të ndërlikuar, i cili synonte fshehjen e parave nga sekuestrimi në Itali dhe më pas riciklimin e tyre përmes sistemit bankar në Shqipëri.

Në prill të vitit 2023, Gjykata e Posaçme shpalli fajtorë dhe dënoi dy persona të afërt me Taçin, Artur Ballën dhe Bledar Lilon, të cilët u konsideruan si bashkëpunëtorë në këtë aktivitet kriminal. Vendimi u konfirmua më pas edhe nga Apeli.

Sipas hetimeve të përbashkëta të SPAK dhe Prokurorisë Antimafia të Palermos, skema e pastrimit të parave është shtrirë në disa shtete, përfshirë Italinë, Zvicrën dhe Shqipërinë. Në këtë dosje u përfshi edhe sipërmarrësi italian 90-vjeçar Francesco Zummo, i cili u vendos në arrest shtëpie dhe ishte hetuar më herët nga magjistrati i njohur Giovanni Falcone për lidhje me “Cosa Nostra”./ Zoom.al

Postime të lidhura