zoom

Aktualitet

Rezart Taçi përsëri në telashe! Prokuroria e çon në gjyq, skemë mashtruese me naftën e transaksione

Prokuroria e Tiranës merr të pandehur dhe dërgon për proces në Gjykatë manjatin e karburanteve në Shqipëri, biznesmenin Rezart Taçi.

Në shpjegimin juridik që i bëhet çështjes në fjalë sqarohet se hetimet e nisura kohë më parë konkluduan në aktivitetin penal të biznesmenit, për ngritjen e një skeme transaksioni dhe mashtrimi, me qëllime përfitimi.

Kjo nuk është çështja e parë në ngarkim të Taçit, që dikur drejtonte kompaninë e madhe “Taçi Oil”, derisa u shfaqën problemet ligjore dhe me drejtësinë. Gjithashtu ai hetohet edhe në Zvicër edhe Itali, teksa në një rast u kap në tentativë pastrimi të mbi 18 mln eurove të mafias siçiliane “Cosa Nostra”.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq të pandehurin R.T. i akuzuar për veprën penale ‘Krijimi i skemave mashtruese lidhur me TVSH-në’ e parashikuar nga neni 144/a i Kodit Penal. Nga hetimet e kryera në kuadër të procedimit penal nr. 206 i vitit 2018, rezultoi se shoqëria ‘Kuid’ shpk, si agjente e shitjes me pakicë e shoqërisë ‘Taçi Oil International Trading and Supply Company’ sh.a., i ka faturuar komisione shërbimi më shumë në sasi se sa sasia e furnizuar në fakt për periudhën Maj-Dhjetor 2013”, thuhet në dosjen e Prokurorisë së Tiranës.

Kjo shoqëri ka kredituar padrejtësisht TVSH-në me vlerë 10.399,595 lekë. Gjithashtu me transaksion fiktiv ka rënduar shpenzimet e vitit padrejtësisht për shumën 51.997.975 lekë.

“Nga kontrolli tatimor i kryer rezultoi se shoqëria ‘Taçi Oil International Trading and Supply Company’ sh.a. për llojin karburant ‘Diesel’ nga muaji Maj-Tetor 2013 ka shitur një sasi prej 1.298095 litra dheka faturuar një sasi prej 4.591.093 litra, me një diferencëmë shumë 3.292.998 litra në vlerë 36.818.845 lekësh. Ndërsa për llojin e karburantit ‘Benzinë’ ka kryer shitje në sasinë 608.093 litra, duke faturuar 1.934.446, me vlerë 15.070.950 lekë”, thekson në njoftim prokuroria. /ZOOM.AL/