Aplikacion
Rezart Taçi është shpallur fajtor nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe është dënuar me 11 vite burg për veprën penale të pastrimit të parave në kuadër të një skeme ndërkombëtare kriminale.
Sipas vendimit të shpallur, Taçi akuzohet se ka qenë i përfshirë në një rrjet që lidhet me pastrimin e miliona eurove të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti i organizatës mafioze italiane Cosa Nostra.
Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar më herët një dënim më të rëndë, prej 13 vitesh burg, ndërsa gjatë hetimeve u paraqitën prova që lidhen me një skemë financiare me vlerë rreth 18 milionë euro.
Sipas dosjes hetimore, paratë dyshohet se do të kalonin përmes sistemit bankar në Shqipëri dhe më pas do të transferoheshin në llogari jashtë vendit, përfshirë Hong Kongun dhe Singaporin, duke u paraqitur si investime në sektorin e hidrokarbureve.
Hetimet kanë zbuluar edhe përfshirjen e disa shtetasve të huaj, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar në realizimin e kësaj skeme financiare./ Zoom.al