Aplikacion
SPAK goditi këtë të enjte një grup të madh ndërkombëtar të trafikut të drogës, pastrimit të parave dhe korrupsionit. Hetimet janë zhvilluar së bashku me Prokurorinë Antimafia në Breshia të Italisë dhe me Prokurorinë Publike të Zvicrës.
Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme dha lejen për kontrolle ndaj 21 personave nën hetim. Kontrollet u kryen sot nga Policia e Shtetit.
Gjatë hetimeve të përbashkëta u zbulua një grup kriminal i përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, i cili dyshohet se ka trafikuar drogë nga Amerika e Jugut drejt Europës. Droga transportohej fillimisht me rrugë detare dhe më pas dërgohej në Itali me automjete të tonazhit të rëndë.
Autoritetet italiane kanë sekuestruar mbi 1.3 tonë kokainë, të cilat ishin shpërndarë në gjashtë baza të ndryshme në Itali. Në këto vende droga ruhej, paketohej dhe përgatitej për shitje.
Paratë e fituara nga trafiku mblidheshin në para fizike dhe dërgoheshin tek drejtuesit e grupit përmes personave të quajtur “money mules”. Mes tyre kishte edhe shoferë autobusi që lëviznin në linjën Itali–Shqipëri.
Gjatë hetimeve në Itali janë arrestuar 10 persona dhe janë sekuestruar 550 mijë euro, 10 automjete, një armë zjarri dhe 130 kilogramë drogë e gatshme për treg.
Nga 24 personat për të cilët gjykata italiane vendosi masa sigurie, 6 ndodheshin në Shqipëri dhe 3 u arrestuan sot.
SPAK njofton se ka prova që një oficer i Policisë së Shtetit, me inicialet I.H., ka nxjerrë të dhëna sekrete nga hetimi dhe ia ka dhënë personave të dyshuar në këmbim të shpërblimeve të paligjshme. Ai dyshohet gjithashtu për moskryerje të rregullt të detyrës.
Gjykata e Posaçme ka vendosur për të masën “arrest në burg”. Oficeri u arrestua sot nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.