zoom

Sport

Sot ceremonia e “Topit të Artë”, mediat e bëjnë fakt të kryer fitoren e Messit

Prej mëse një jave media prestigjioze, rrjetet sociale dhe gazetarë sporti, kanë bërë fakt të kryer se kampioni i Botës, argjentinasi Lionel Messi, do fitojë “Topin e Artë” të tetë të karrierës së tij futbollistike.

Sonte në orën 20:30 në Paris do jetë ceremonia e dorëzimit të ‘Topit të Artë’ në edicionin e 67 të tij, që akordohet nga revista franceze ‘France Football’.

Favoriti për ta fituar çmimin më prestigjoz individual është Lionel Messi, i cili tani luan në Amerikë me Inter Miami-n. Për 36-vjeçarin ky do jetë Topi i tetë i Artë në karrierë, një shifër e paimagjinueshme që vështirë se mund të parakalohet ndonjëherë. Ndonëse ka konkurentë shumë të fortë si Erling Halaand, i cili ka fituar trpiletën me City-n, apo edhe Kevin de Bruyne, disa media në Spanjë e kanë bërë të kryer se Messi do jetë fitues.‘Pleshti’ favorizohet për faktin se në dhjetor fitoi Botërorin me Argjentinën, duke qenë një udhëheqës në fushë dhe duke sjellë trofeun e lakmuar që pas vitit 1986. Nëse e fiton Messi do bëhet futbollisti i parë i cili merr trofeun dhe luan jashtë Europe.

Në listën me 30 futbollistë pretendent bëjnë pjesë edhe Mbappe, Bernando Silva, Harry Kane apo edhe lojtarët e Interit finalistë të Champions League si Lautaro, Andre Onana apo Nico Barrela, me këtë të fundit i cili është italiani i vetëm në listë. Përveç ‘Topit të Artë’, do jepen edhe çmimet të tjera si Kopa për futbollistin më të mirë nën 21 vjeç ku Bellingham i Real Madrid është favoriti absolut, apo edhe çmime të tjera si ‘Yashin’ për portierin më të mirë në botë.

Për ‘Topin e Artë’ votojnë gazetarët e sportit nga të gjithë vendet e botës, ndërsa vitin e kaluar fitues u shpall Karim Benzema i Real Madrid, i cili tani luan me Al-Ittihad në Arabinë Saudite. /ZOOM.AL/