zoom

Aktualitet

“Skema” e Bilishtit/ Del emri i shqiptarit pas “investitorit amerikan”

“Skema” e Bilishtit/ Del emri i shqiptarit pas “investitorit amerikan”

Pretendimet për një investim gjigant prej 1 miliardë eurosh në minierat e nikelit në Bilisht kanë marrë një drejtim tjetër nga ai që u paraqit fillimisht.

Ajo që u promovua si një projekt me mbështetje “amerikane” duket se lidhet në fakt me një figurë të njohur në Shqipëri: Mirsad Uruçi.

Fillimisht, mediat greke raportuan se Aktor Group dhe BNI Foundation kishin arritur një marrëveshje për të investuar në zonën e Korçës, duke theksuar përfshirjen e kapitalit nga SHBA dhe rëndësinë strategjike të projektit për furnizimin me minerale kritike në Perëndim.

Por zhvillimet e mëvonshme kanë vënë në pikëpyetje këtë narrativë. Sipas të dhënave, marrëveshja nuk duket të jetë e lidhur drejtpërdrejt me kompani amerikane, por me një shoqëri shqiptare, “Brightnest” shpk, e krijuar së fundmi me një kapital simbolik prej 100 lekësh. Kjo kompani është në pronësi të Uruçit.

Ai është shfaqur edhe në takimin mes kryeministrit Edi Rama dhe ambasadores amerikane në Athinë, Kimberly Guilfoyle, si pjesë e delegacionit zyrtar.

Në të kaluarën, Uruçi ka qenë i përfshirë në projekte të debatueshme, si koncesioni i parkut fotovoltaik në Akërni, që përfundoi në arbitrazh me një pretendim prej 110 milionë eurosh ndaj shtetit shqiptar, por që më pas nuk u ndoq më tej. Po ashtu, ai ka përfaqësuar interesa të kompanisë energjetike EFT në rajon.

Dyshime lindin edhe për BNI Foundation. Pavarësisht emrit që përkon me një organizatë në SHBA, entiteti i përmendur në marrëveshje përshkruhet si një strukturë rajonale, pa të dhëna të qarta mbi pronësinë apo aktivitetin e saj.

Deri në këtë pikë, mungojnë prova konkrete që të konfirmojnë një përfshirje reale amerikane në këtë projekt miliardësh. Përkundrazi, të dhënat sugjerojnë një model të njohur: projekte të shpallura me bujë ndërkombëtare, por me bazë të paqartë dhe lidhje kryesisht lokale.

Në mungesë transparence dhe dokumentacioni zyrtar, i ashtuquajturi investim amerikan në Bilisht mbetet ende i paqartë dhe i pakonfirmuar.

Postime të lidhura