zoom

Lajme

Skandal në Serbi/ Vuçiç dhe vëllai i tij akuzohen për korrupsion dhe lidhje me krimin, zbulohen mesazhet në SKY ECC

Skandal në Serbi/ Vuçiç dhe vëllai i tij akuzohen për korrupsion dhe lidhje me krimin, zbulohen mesazhet në SKY ECC

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe vëllai i tij, Andrej, po përmenden përsëri në komunikimet e reja të platformës SKY, të cilat kanë mbërritur nga Europol dhe dyshohet se zbulojnë ndërhyrje të nivelit të lartë në sistemin e drejtësisë dhe lidhje me grupe kriminale.

Sipas raporteve të mediave serbe, dokumentet e reja lidhen me aktivitetet e narko-kartelit të Darko Shariç dhe tregojnë se persona të pushtetshëm mund të kenë ndihmuar ose favorizuar këtë rrjet.

Sipas mediave, Ministria e Brendshme nuk ia ka dorëzuar ende Prokurorisë për Krim të Organizuar paketën e re me të dhënat e SKY-t, gjë që ka ngritur dyshime për mbajtje të qëllimshme të informacioneve jashtë procesit hetimor.

Në komunikimet e mëparshme SKY, që tashmë janë bërë publike në vende të ndryshme të rajonit, presidenti Vuçiç përmendet me nofkën “Oskar”, ndërsa vëllai i tij me emrin “Andrej”. Në lista shfaqen edhe ish-ministri i Brendshëm Nebojsha Stefanoviç (“Edo”) dhe zyrtari i BIA-s, Marko Parezanoviç (“Markus”).

Burime nga hetimet tregojnë se në bisedat e grupit të Darko Shariqit shtrohet ideja se “vendimet gjyqësore mund të ndikohen vetëm përmes Oskarit”, ndërsa flitet edhe për një takim në BIA, ku kanë marrë pjesë persona nga strukturat e larta të drejtësisë dhe të shërbimeve të zbulimit.

Vëllai i Darko Shariqit, Dushko Shariq, në një mesazh të 26 majit 2020, shkruan:

“E vetmja rrugë reale është përmes Markusit drejt Oskarit. Vetëm ai mund ta zgjidhë këtë punë… të tjerët nuk munden”, duke iu referuar Aleksandar Vuçiçit me nofkën tashmë të njohur.

Në një komunikim tjetër, të publikuar nga media malazeze Vijesti, i dyshuari Petar Lazoviq flet drejtpërdrejt për Vuçiçin me fjalor banal dhe, në mënyrë indikative, disa nga dëshirat e tyre përfshirë uljen e dënimeve të Shariqit realizohen më vonë në gjykatat serbe.

Dokumentet e reja të SKY-t, të cilat Ministria e Brendshme nuk po ia dorëzon TOK-ut, lidhen me korrupsion të nivelit të lartë dhe me përdorimin e institucioneve shtetërore për mbrojtjen e rrjeteve kriminale. Sipas burimeve, në këto komunikime përmenden sërish Aleksandar dhe Andrej Vuçiç, duke krijuar presion të jashtëzakonshëm mbi strukturat e drejtësisë.

Një sërë vendimesh gjyqësore rrëzimi i dënimeve të mëparshme të Shariqit, largimi i gjyqtarit Milimir Lukiq nga rasti dhe vendosja e të pandehurit në arrest shtëpie po vlerësohen nga ekspertët si të sinkronizuara me interesat e rrjetit kriminal dhe të një pjese të pushtetit politik.

Sipas ekspertëve të drejtësisë, ekziston shqetësimi se përfshirja e paketës së re në hetime mund të çojë në procedime ndaj zyrtarëve të lartë të shtetit. Për këtë arsye, pushteti serb dyshohet se po nxit ndryshime ligjore që do ta kufizonin rolin e Prokurorisë për Krim të Organizuar, duke e vënë nën kontroll më të drejtpërdrejtë të Prokurorisë së Lartë të Beogradit./ Zoom.al

Postime të lidhura