zoom

Lajme

Skandal në Maqedoninë e Veriut! Libri i Gjeografisë e paraqet Kosovën si “Metohi” të Serbisë

Skandal në Maqedoninë e Veriut! Libri i Gjeografisë e paraqet Kosovën si “Metohi” të Serbisë

Një foto e publikuar në rrjetet sociale ka ndezur debat të madh lidhur me sistemin arsimor në Maqedoninë e Veriut.

Analistja Nafie Selmani ka bërë publike një imazh nga një libër shkollor, ku Kosova paraqitet me emrin “Metohi” dhe figuron si pjesë e territorit të Republikës së Serbisë

Selmani akuzon partinë në pushtet “VLEN” dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se si aleatë politikë nuk duhet ta kishin lejuar një skandal të tillë.

“A është Kosova – Kosovë për burrat e VLEN-it, apo ‘Metohia’, siç paraqitet në librin e Gjeografisë për klasën e shtatë, botim i vitit 2025?

Dhe a është në dijeni për këtë emërtim aleati i tyre më i madh politik, kryeministri i Kosovës, i njohur për deklarata nacionaliste? A pajtohet edhe ai që Kosova qenka ‘Metohi’?

A s’u vjen turp burrave të VLEN-it që nuk arrijnë të mbrojnë as gjënë më elementare të identitetit tonë kombëtar? Apo, sipas zakonit, fajin e ka sërish Ali Ahmeti, Taravari, ai, ata, unë… të gjithë, vetëm ata jo?

Sa herë duhet t’ju poshtërojnë ata juve, ju pastaj neve, e pastaj sërish ata juve, vetëm për atë kockë të vogël pushteti që ju kanë hedhur në sofrën e qeverisë?

A gjeni të paktën një grimë guximi politik për të kërkuar tërheqjen e këtij botimi skandaloz dhe për të treguar se ekzistoni përtej rolit dekorativ në qeveri?”, shkruan Selmani.

Një pjesë të Kosovës, Serbia vazhdon ta quajë “Metohi”, një term me ngarkesë politike dhe fetare që e paraqet si territor të saj. Këtë pretendim e pasqyron edhe libri zyrtar i Gjeografisë në shkollat shtetërore të Maqedonisë së Veriut.