Aplikacion
Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, J.D. Vance, zhvilloi këtë të diel një takim të rëndësishëm në Romë me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe kryeministren italiane, Giorgia Meloni.
Takimi u zhvillua pas ceremonisë së fronëzimit të Papës Leoni dhe kishte në fokus rikthimin e marrëdhënieve tregtare ndërmjet SHBA-së dhe Bashkimit Evropian.
Gjatë deklaratës së tij, Vance nënvizoi rëndësinë e lidhjes transatlantike, duke theksuar se edhe pse ekzistojnë mospajtime mes aleatëve, veçanërisht në çështjet tregtare, dialogu mbetet i domosdoshëm.
“Evropa është një aleate e fuqishme për ne. Edhe mes miqsh të ngushtë, ka çështje ku nuk jemi gjithmonë në një mendje, siç është tregtia. Por qëllimi ynë është bashkëpunimi i qëndrueshëm ekonomik,” u shpreh ai në praninë e dy lidereve evropiane.
Takimi shënon një përpjekje të re për të kapërcyer tensionet e së kaluarës dhe për të çelur një kapitull të ri në marrëdhëniet ekonomike ndëratlantike. Vance shprehu besimin se një proces i ri negociator do të sillte përfitime reciproke për të dyja palët./ Zoom.al