zoom

Aktualitet

Si u vra Behar Sofia, zbardhet dinamika e atentatit ndaj bosit të drogës

Të tjera detaje janë zbuluar lidhur me ekzekutimin që ndodhi dje pranë Piramidës në Tiranë, ku u vra 66-vjeçari Behar Sofia.

Nga këqyrja e pamjeve të marra nga kamerat e sigurisë rezulton se autori i atentatit e ka pritur të ndjerin për disa ditë te dera e pallatit.

Vrasësi e priti 66-vjeçarin te dera e pallatit dhe më pas e qëlloi me pistoletë. Një plumb e kapi në qafë dhe tjetri në shpatull. Dyshohet se arma e përdorur në krim ka qenë një pistoletë TT me silenciator. 2 gëzhoja u gjetën në vendin e ngjarjes.

Nga pamjet e kamerave të sigurisë rezulton se autori është mëso burrë i veshur me kostum sportiv të errët dhe fytyrën e ka pasur të mbuluar. Ka dyshime se bëhet fjalë për një vrasës me pagesë.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 09:00 të mëngjesit, kohë kur shërbimet e Policisë kanë mbërritur aty të sinjalizuar nga kalimtarët e rastit që e kanë parë 66-vjeçarin të shtrirë në trotuar dhe të gjakosur.

Mësohet se Behar Sofia kishte dalë për ecje, pasi kishte konsumuar një kafe në zonën ku u qëllua për vdekje. Ai kishte qëndruar dy javë i izoluar në shtëpi për shkak të infektimit me Covid-19. Burimet thanë se ka dyshime që ai mund të jetë nxjerrë në pritë pas një telefonate, e cila tashmë po verifikohet nga grupi hetimor.

Atentati i djeshëm, nuk ishte i pari për 66-vjeçarin Behar Sofia, por që rezultoi fatal për jetën e tij.

Duke marrë shkasë nga e shkuara e tij kriminale, lidhjet e rëndësishme që ai kishte me personazhe të trafikut të drogës, shqiptarë dhe turq, Policia ka ngritur si pistë të parë hetimore, çështjet që kanë të bëjnë me drogën.

Uniformat blu kanë kontrolluar apartamentin e viktimës dhe kanë marrë në pyetje edhe bashkëshorten e tij. Behar Seferi, alias Behar Sulo Sofia, ndërsa rezulton që të jetë i dënuar jashtë vendit për trafikim të lëndëve narkotike.

I ndjeri kishte disa biznese pranë zonës së stadiumit “Dinamo” në kryeqytet, si bar/kafe, që kanë qenë më herët shënjestër e sulmeve me tritol.