Aplikacion
Një incident në pikën kufitare të Qafë Thanës ka shkaktuar reagime politike në Maqedoninë e Veriut, pasi koordinatori i Grupit Parlamentar të koalicionit VLEN, Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Hasim Murtezani, pretendojnë se u mbajtën për disa orë nga policia kufitare shqiptare.
Sipas zyrtarëve të VLEN, ndalimi ndodhi për shkak se një person që udhëtonte me ta rezultonte i padëshiruar dhe kishte të ndaluar hyrjen në Shqipëri. Ata theksojnë se, megjithëse ishin të pajisur me pasaporta diplomatike, u mbajtën për rreth një orë pa marrë një shpjegim zyrtar apo dokument që justifikonte ndalimin.
Në reagimin e tij, koalicioni VLEN e krahason incidentin në Qafë Thanë me disa raste të bujshme ndërkombëtare, ku deputetëve ose zyrtarëve të huaj u është refuzuar hyrja në një shtet, duke shkaktuar tensione diplomatike.
Një prej tyre është rasti i deputetes britanike Wera Hobhouse, së cilës në prill 2025 iu ndalua hyrja në Hong Kong sapo mbërriti në aeroport. Hobhouse udhëtonte për të vizituar familjarët e saj, por autoritetet nuk i dhanë asnjë shpjegim zyrtar për refuzimin. Deputetja është pjesë e Inter-Parliamentary Alliance on China (IPAC), një grup ndërkombëtar parlamentarësh që ka kritikuar vazhdimisht qeverinë kineze për çështjet e të drejtave të njeriut dhe autonomisë së Hong Kongut. Incidenti shkaktoi reagim të menjëhershëm nga qeveria britanike, ndërsa ministri i Jashtëm David Lammy e cilësoi vendimin “thellësisht shqetësues” dhe kërkoi sqarime nga Pekini.
Një tjetër rast është ai i dy deputetëve laburistë britanikë, Yuan Yang dhe Abtisam Mohamed, të cilëve Izraeli u refuzoi hyrjen në muajin prill 2025, ndërsa po zhvillonin një vizitë zyrtare në Izrael dhe Bregun Perëndimor. Autoritetet izraelite argumentuan se ekzistonte dyshimi se vizita do të përdorej për aktivitete politike kundër shtetit izraelit dhe se deputetët kishin mbështetur më parë fushata për sanksione ndaj Izraelit. Vendimi u kritikua nga kryeministri britanik Keir Starmer, i cili e cilësoi të papranueshme pengimin e hyrjes së parlamentarëve britanikë në një mision zyrtar.
Sipas VLEN, ndonëse ato raste lidhen me tensione të forta gjeopolitike, pyetja që shtrohet është pse një situatë e ngjashme ndodhi mes dy vendeve fqinje me shumicë popullsie shqiptare.
“Marrëdhëniet ndërshqiptare duhet të ndërtohen mbi transparencë, respekt institucional dhe komunikim të qartë, jo mbi ndalesa të pashpjeguara dhe procedura që lënë vend për dyshime”, thuhet në reagimin e koalicionit.
VLEN kërkon që autoritetet shqiptare të sqarojnë se kush e mori vendimin për ndalimin e zyrtarëve dhe mbi çfarë baze ligjore u veprua.
Ngjarja ka nxitur debat politik në Maqedoninë e Veriut, ndërsa VLEN paralajmëron se kufizime të tilla ndaj zyrtarëve dhe qytetarëve shqiptarë mund të dëmtojnë marrëdhëniet mes dy vendeve.
Deri në këtë moment, autoritetet shqiptare nuk kanë dalë me një reagim zyrtar lidhur me incidentin në Qafë Thanë.
Spanja i rremben titujt Lionel Messi-t, Rodri shpallet lojtari i turneut në Kupën e Botës