zoom

Ekonomi

Shtrenjtohen biletat e transportit në Dibër

Shtrenjtohen biletat e transportit në Dibër

Rritja e çmimit të karburanteve ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta edhe në transportin publik në Qarkun Dibër, ku operatorët kanë shtrenjtuar tarifat e udhëtimit në të katër qytetet e zonës.

Ndryshimet më të ndjeshme janë regjistruar në linjat ndërqytetase drejt Tiranë.

Për shembull, bileta në itinerarin Peshkopi–Tiranë është rritur nga 500 në 600 lekë. Një rritje e ngjashme është aplikuar edhe për udhëtimin Bulqizë–Tiranë, ku çmimi ka shkuar nga 300 në 400 lekë për pasagjer. Po ashtu, edhe linja Burrel–Tiranë ka pësuar rritje, duke kaluar nga 400 në 500 lekë.

Kjo situatë ka sjellë reagime të forta nga qytetarët, të cilët shprehen se rritja e vazhdueshme e çmimeve po rëndon ndjeshëm ekonominë familjare. Sipas tyre, ndërkohë që kostot e jetesës janë shtuar, të ardhurat kanë mbetur të pandryshuara, duke e bërë përballimin e shpenzimeve gjithnjë e më të vështirë.

Më të prekurit nga kjo situatë konsiderohen pensionistët dhe familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, të cilët kërkojnë ndërhyrje nga institucionet për të lehtësuar barrën financiare./ Zoom.al

Postime të lidhura