zoom

Aktualitet

Shpërthimi me eksploziv në makinën e 36-vjeçarit, arrestohen 7 persona, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal

Shpërthimi me eksploziv në makinën e 36-vjeçarit, arrestohen 7 persona, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal

Janë zbardhur detaje të reja lidhur me shpërthimin me lëndë plasëse të ndodhur në orët e para të mëngjesit të 10 marsit 2026 në rrugën “Vasil Ndoçka” në Tiranë, ku u dëmtua një automjet në pronësi të Oltion Klosit.

Nga hetimet ka rezultuar se në ngjarje janë përfshirë disa persona që vepronin në formën e një grupi të strukturuar kriminal. Për këtë rast janë vënë në pranga shtatë persona me precedentë penalë.

Të arrestuarit janë Jurgen Gjonaj, Renato Balla, Kristjan Ahmerama dhe Eklips Leti, të dyshuar për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim. Ndërsa për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” janë arrestuar edhe Glentjan Kojtari, Dorjan Hamolli dhe Geris Molla.

Sipas hetimeve, Jurgen Gjonaj dyshohet se është personi që ka vendosur dhe shpërthyer lëndën eksplozive në automjet, ndërsa është ndihmuar nga Renato Balla, Kristjan Ahmerama dhe Eklips Leti, të cilët i kanë siguruar informacionin për vendndodhjen e automjetit, biçikletën me të cilën ka lëvizur autori, banesën ku është strehuar si dhe lëndën plasëse.

Ndërkohë, Glentjan Kojtari, Dorjan Hamolli dhe Geris Molla dyshohet se kanë transportuar me automjet autorin e vendosjes së eksplozivit.

Porositësi i dyshuar i ngjarjes është Sabah Nuzi, i cili ndodhet aktualisht në burg dhe dyshohet se ka urdhëruar vendosjen e lëndës plasëse në automjetin e 36-vjeçarit Oltion Klosi.

Gjatë operacionit janë sekuestruar biçikleta e përdorur në ngjarje, rrobat e autorit, disa automjete dhe aparate celularë që dyshohet se janë përdorur nga të përfshirët.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme hetimore.

Postime të lidhura