Aplikacion
Deputeti i zgjedhur i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka akuzuar autoritetet për shkelje të rënda të të drejtave të Ilir Metës, i cili ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024.
I ftuar në studion e “News24”, Blushi deklaroi se ndaj Metës nuk ekziston asnjë provë që të justifikojë ndalimin dhe, sipas tij, po ushtrohet një izolim ekstrem ndaj ish-presidentit, duke i mohuar edhe të drejtat më elementare si person nën hetim.
“Ilir Meta mbahet pa prova në një izolim të plotë. I janë mohuar të gjitha të drejtat. Nuk i lejohet të takojë familjarë, deputetë, drejtues të partisë, madje edhe telefonin që e kishte të regjistruar në mënyrë të ligjshme ia kanë hequr”, u shpreh Blushi.
Deputeti bëri të ditur se kishte një leje të posaçme nga Prokuroria e Posaçme për të takuar Metën në cilësinë e drejtuesit të Partisë së Lirisë, por kjo leje, sipas tij, është anuluar në mënyrë të papritur dhe pa asnjë njoftim zyrtar.
“Kam një autorizim nga SPAK për të takuar Ilir Metën, por më është hequr pa dhënë asnjë arsye. Madje edhe avokatit i ndalohet ta takojë në mënyrë të rregullt”, tha Blushi.
Ai nuk kurseu kritikat as për sistemin në tërësi, duke deklaruar se burgjet shqiptare janë kthyer në “vende degradimi ekstrem”.
“Shikoni çfarë ndodh sot në burgjet e vendit! Janë kthyer në kuplara. Nuk ka ngelur eskortë pa shëtitur lart e poshtë me individë me rrezikshmëri të lartë, ndërsa një drejtues opozitar nuk lejohet të shohë as familjen”, përfundoi ai./ Zoom.al