Aplikacion
Një skandal i bujshëm mësohet të ketë përfshirë SPAK-un së fundmi. Dy ish-zyrtarë janë arrestuar nën akuzën e ndërhyrjes në sistemin e IT-së së Prokurorisë së Posaçme, duke marrë prej andej dosje nga kompjuterat e 3 prokurorëve të SPAK-ut.
Sipas të njëjtave burime, ngjarja ka ndodhur pak javë më parë, ku mësohet se është hakeruar sistemi i SPAK-ut.
Në pranga thuhet se kanë rënë Zambak Gjoni, ish-drejtor i paraburgimit Vlorë dhe Arnold Rrokaj, ish-punonjës i IMT-së si të dyshuar kryesorë. Skandali pritet të dërgojë prapa hekurave edhe zyrtarë të tjerë.
Gazetarja Klodiana Lala foli për këtë çësjtje në studion e “Opinion”, ku tha se ka dyshime të forta për hakerim.
“Është ndërhyrë në kompjuterin e prokurores Enkeleda Millonai, e cila kohët e fundit për arsye shëndetësore ka pasur momente që nuk është paraqitur në punë, në këtë moment është dhënë sinjali. Ka dyshime të forta për hakerim. Është ndërhyrë! Është parë që është ndërhyrë në 3 kompjutera, të Millonait, prokurores Elida Kaçkini dhe prokurorit Behar Dibra”, – tha Lala.
Sipas gazetares, është tentuar të hakerohej edhe kompjuteri i drejtuesit të Strukturës së Posaçme AntiKorrupsion, Altin Dumani.
“Është tentuar të hakerohet kompjuteri i kreut të Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani. Nuk është hakeruar dot, është vendosur të fiket gjithë sistemi, që të mos merreshin të dhëna të tjera“, –u shpreh ajo.
Gazetarja shtoi se përmes gjurmimit të celularëve është zbuluar se në kryeqytet ekziston një zyrë hakerimi. Kështu sipas saj është arritur tek dy personat e arrestuar.
“Prokurorët përmes gjurmimit të celularëve kanë arrestuar në Kamzë Zambak Gjonin dhe më pas Arnold Rrokajn. Përmes gjurmimi të celularëve, ata kanë arritur të kuptojnë që hakerimi vinte nga një zyrë që ishtë në një nga kullat kryesore të Tiranës. Zyrë hakerimi!
Ka dyshime që ka pasur edhe bashkëpunëtorë nga brenda. Kanë arritur përmes gjurmimit të celularëve, se kanë ndodhur brenda 24 orëve, kanë arritur të arrestojnë 2 personat. Janë ndaluar në flagrancë, u janë kapur celularët dhe u janë gjetur pajisje që përdoren për përgjim e hakerim. Dy janë sfidat kryesore, së pari kanë dalë të dhënat e një politikani, biznesmeni dhe një gruaje në administratë”, – përfundoi Lala./ Zoom.al