Aplikacion
Kryetari i Partisë Demokratike ka ndarë në faqen e tij në facebook një informacion në lidhje me shembjen e tunelit në Murrash që i përket aksit Elbasan Përrenjas.
Sipas informacionit që ka publikuar kreu demokrat, “është informacion jo zyrtar me burime të sigurta”. “ARRSH e mohon”. “Me sa di unë ka zënë brenda dhe një makineri gërmimi shumë të shtrenjtë. E mbajnë të fshehtë!”
“Shembet tuneli në Murrash! Mbahet sekret shembja!
Përshëndetje dr. Ditën e enjte bëhet me dije nga burime jo zyrtare se gjatë kohës që punëtorët ishin larguar nga fronti i punës ka patur shembje në një nga tunelet në ndërtim në Murrash.
Nuk dihet nëse ka patur njeri brenda. Eshtë informacion jo zyrtar me burime të sigurta. ARRSH e mohon. Me sa di unë ka zënë brenda dhe një makineri gërmimi shumë të shtrenjtë. E mbajnë të fshehtë”, shkruaj Berisha në postim.
Shembja masive dyshohet se ka ndodhur në një nga segmentet në ndërtim të rrugës në zgjerim, pjesë e Korridori VIII, që lidh Elbasan me Librazhd.
Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur të enjten (26 shkurt) brenda njërit prej dy tuneleve të Murrashit, ku është regjistruar një shembje masive e masivit të dheut. Fatmirësisht, incidenti nuk është kthyer në tragjedi, pasi në momentin e shembjes punëtorët po largoheshin drejt një fronti tjetër pune.
Burimet bëjnë me dije se vetëm një mjet pune, tip ekskavator, ka qenë i fundit që po dilte nga tuneli dhe është mbuluar nga dherat si pasojë e shembjes. Për fat të mirë, nuk raportohet për persona të lënduar.
Ngjarja dyshohet të jetë mbajtur sekret nga kompania ndërtuese Gjoka Konstruksion, ndërsa informacioni për shembjen nuk është bërë publik nga autoritetet përkatëse.
Megjithatë, gjurmët e shembjes në tunelin e ri të Murrashit janë ende të dukshme në terren.