zoom

Sport

Shehi e nis me fitore cinike dhe zhyt më shumë Teutën, Partizani në ndjekje të Egnatias

Orges Shehi debuton me fitore në stolin e Partizanit. Një triumf minimal 1-0 ndaj Teutës në “Arenën e Demave”, në ndeshjen e vlefshme për elitën. Rasti i parë serioz i takoi skuadrës së kuqe. Portieri i durrsakëve, Dema i mohoi golin Carës, duke ndezur kështu sfidën.

Në minutën e 21-të, skuadra kryeqytetase gjeti golin me Hadroj, por festa zgjati pak, pasi VAR e konsideroi si pozicion jashtë loje.

Në minutën e 38-të, Kotobelli shkaktoi penallti pas një ndërhyrje ndaj Hadroj, duke i dhuruar mundësinë e artë vendasve. Nga pika e bardhë u nis Cara, i cili nuk fali dhe kaloi Partizani në epërsi.

Kampionët në fuqi nuk e nisën mirë pjesën e dytë, pasi Gjini “flirtoi” me golin. Shtylla shpëtoi të besuarit e Orges Shehit nga pësimi i një goli të sigurt, në të 50-tën. Mysafirët barazuan shifrat me debutuesin Faust, gjithsesi goli u cilësua si offside.

Në fund pati minuta edhe për Xhuliano Skukën, i cili u aktivizua për herë të parë që prej rikthimit të bujshëm te Partizani.

Kështu, Partizani renditet në vendin e dytë me 35 pikë. Teuta mbyll klasifikimin me 16 pikë. /ZOOM.AL/